Bllagojevgrad, 2 Gusht, NOA – Në manifestimin përkujtimor me rastin e përvjetorit të kryengritjes së Ilindenit (festë shtetërore dhe kombëtare në Maqedoni) në Bllagojevgrad të Bullgarisë, kryetari i partisë bullgare VMRO-BND, Krasimir Karakaçanov, ka përsëritur qëndrimin e tij se Maqedonia është tokë bullgare.
Me disa pankarta ku shkruhej “Maqedonia është bullgare” ai dhe partia e tij kanë shënuar kryengritjen e Ilindetin edhe në Bullgari, raporton agjencia e lajmeve INA.
Karakaçanov është habitur nga mediat maqedonase dhe maqedonasit, të cilët janë shokuar nga diçka që është fakt dhe realitet.
“Secili bullgar, që nuk është i ngarkuar me disa budallallëqe për Aleksandërin e Madh, apo për kombin antik maqedonas, është normale në Bullgarinë e lirë, Maqedoninë ta vlerësoj si pjesë të Bullgarisë”, ka theksuar Karakaçanov.
Ai disa herë ka theksuar se popullata duhet të largohet nga nxitjet pro-serbe dhe njëherë e përgjithmonë hapur të flitet për identitet të vërtetë.
Ai vlerëson si fakt të vërtetë se Maqedonia është një vend i populluar vetëm me popullsi bullgare dhe shqiptare, si dhe pakicat e tjera.
Ilindeni – festohet nga maqedonasit dhe bullgarët
Kryengritja e Ilindenit e 2 gushtit të vitit 1903 është një nga festat bartëse shtetërore në Maqedoni, e cila po festohet edhe në Bullgari.
Kjo festë e cila ka si ngjarje një kryengritje që zgjati vetëm tre ditë kundër turqve në qytezën Krushevë në Maqedoninë Lindore, pas së cilës u shpallë e ashtuquajtura “Republika e Krushevës”, sërish ka nxjerrë në sipërfaqe konfliktin maqedono-bullgar, për përvetësimin e historisë së fillimit të shekullit 20.
Një delegacion i lartë shtetëror i kryesuar nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministrat Nexhati Jakupi, Mihajllo Manevski, Ivo Ivanovski do të marrin pjesë në manifestimin qendror të këtij evenimenti në memorialin “Guri i Ariut” në Krushevë.
Një manifestim lidhur me shënimin e kësaj date historike u mbajt edhe në Bullgari. Dhjetëra shoqata bullgare të kryesuara nga partia parlamentare VMRO-BND organizuan një manifestim solemn para përmendores “Ilindenët” në qytetin bullgar Bllagoevgrad.
Festa u shënua me transparentët “Maqedonia është bullgare”, “Mos na grabisni historinë” dhe pankarta të tjera.
Manifestimet në Bullgari janë mbështetur edhe nga ministria e Diasporës.
NOA-INA