Tiranë, 2 gusht, NOA – “Pavarësisht premtimeve për vende të reja pune, sot pushteti PD-LSI, është shkaktar, për humbjen e më shumë se njëqind mijë vendeve të punës, në pak muaj”.
Kjo është deklarata që erdhi pak minuta më parë nga selia rozë, ku akuzohet kryeministri Berisha për humbjen në eksporte të sektorit të fasoneve.
Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj deklaroi se “Berisha mburret me rritjen e eksporteve në sektorin e fasonëve, që sot ka dhënë tashmë sinjalin e alarmit dhe kërkon ndihmën e qeverisë”.
“11 mijë vetë janë pushuar nga puna në ndërmarrjet e fasoneve për shkak të krizës ekonomike”, theksoi Ahmetaj.
Sipas tij, Në bujqësi, në muajt e fundit të 2009-ës, janë humbur 73 mijë vende pune.
“Ndërkohë që Berisha mburret me investime fantazëm në bujqësi, nga vetë shifrat, del se qeveria investon në bujqësi vetëm 1 euro e gjysëm në muaj për çdo të punësuar në këtë sektor”, nënvizoi deputeti i PS-së.
Duke iu referuar shifrave të INSTAT dhe pushtetit për rritje të ekonomisë, krahasuar me dy vite më parë, Ahmetaj i quajti këto deklarata “një gënjeshtër të pacipë për të mbuluar krizën e gjithanshme”.
Sipas Ahmetaj është korrupsioni i qeverisë Berisha – Meta, ai që po shkakton këtë krizë ekonomike, duke theksuar se “të gjithë e dinë se me papunësinë, me mungesën e zhvillimit, me humbjen e standardeve të jetesës, varfërimin e tyre janë duke paguar faturën e korrupsionit të pushtetit PD- LSI”.
Ahmetaj garantoi në emër të selisë rozë, se “Partia Socialiste mbetet tejet e vëmendshme ndaj këtyre problemeve të mprehta të shkaktuara nga papërgjegjshmëria e pushtetit dhe të jeni të sigurt se këto plagë të hapura do shërohen me qeverinë e saj”.
mit/NOA