Nju Jork, 2 Gusht, NOA – Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), është organizata që mbart standardet e demokracisë dhe të drejtave njerëzore dhe, për këtë arsye, është quajtur me të drejtë ‘ndërgjegjja’ e kontinentit tonë.
Kështu e ka cilësuar në konferencën për 35-vjetorin e krijimit të saj, shefi i Aleancës së Atlantikut të Veriut këtë institucion për sigurinë në botë.
Sipas tij, OSBE është vendi kryesor për përcaktimin e normave të sjelljes dhe për t'i bërë qeveritë të mbajnë përgjegjësi për shkeljen e tyre.
“OSBE-ja është, gjithashtu, forumi kryesor për kontrollin mbarë-evropian të armëve dhe për krijimin e besimit dhe luan një rol domethënës në parandalimin dhe menaxhimin e konflikteve. Pa të, synimi ynë për të pasur një kontinent të lirë dhe të sigurt nuk do të realizohej. Me pak fjalë, OSBE-ja mbetet e domosdoshme”, pohoi Rasmussen.
Më tej, ai shtoi se NATO e kompleton punën e OSBE-së në mënyra të ndryshme dhe me një sukses të konsiderueshëm dhe se partneritetet e Aleancës, ku përfshihen shumë prej vendeve anëtare të OSBE-së, si dhe pranimi i anëtarëve të rinj në NATO, kanë kontribuar në synimet e OSBE-së për të ndërtuar një Evropë të qëndrueshme, paqësore dhe të bashkuar.
“Programet bashkëpunuese të NATO-s me vendet partnere janë shndërruar në një mekanizëm që promovon idetë dhe vlerat e OSBE-së. Gjithashtu, përfshirja e NATO-s në Ballkan ka krijuar një mjedis të sigurt, ku OSBE-ja mund të luajë rolin e saj në konsolidimin demokratik të këtij rajoni”, tha ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për rajonin e Ballkanit.
Në fund shtoi se “në ditët e sotme, OSBE-ja dhe NATO plotësojnë njëra-tjetrën edhe përtej Evropës”.
“Të dyja këto organizata po ndihmojnë Afganistanin të ecë me këmbët e veta dhe të sigurojnë që ky vend nuk do të jetë kurrë më një strehë e sigurt për terroristët më të tmerrshëm të botës. Kjo tregon potencialin e institucioneve ndërkombëtare për të bashkëpunuar në përballjen e sfidave të përbashkëta. Ka kohë që NATO mbron këtë përqasje gjithëpërfshirëse e cila do të reflektohet qartë në Konceptin e ri Strategjik që do të miratohet nga Aleanca gjatë këtij viti”, tha ai.
n.e/NOA