Shba - Sanksionet - Koreja E Veriut Do Të Privohet Nga Miliona Dollarë
SEUL, 2 gusht /ATSH-AFP/ - Sanksionet e reja financiare amerikane kundër Koresë së Veriut do ta privojnë regjimin komunist nga miliona dollarë në vit, u shpreh sot një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit i cili ndodhet për vizitë në Seul.
Uashingtoni shpreson të pengojë tregtinë në lulëzim të falsifikimit të dollarit, trafikun e drogës dhe "aktivitetet e paligjshme" të regjimit të Phenianit nëpërmjet rretheve financiare ndërkombëtare, bën të ditur Robert Einhorn, këshilltar i posaçëm i Departamentit të Shtetit për luftën kundër përhapjes së armëve bërthamore dhe kontrollin e armatimeve.
Masat, e njoftuara muajin e kaluar gjatë vizitës në Korenë e Jugut të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, do t'u bëjnë të mundur Shteteve të Bashkuara bllokimin e pasurive të koreanoveriorëve të kontrolluara "nga një shtetas amerikan apo një bankë", shtoi ai gjatë një konference shtypi.
Regjimi komunist është ndëshkuar edhe në vitin 2005 me sanksione nga Thesari amerikan kundër entiteteve koreanoverore të akuzuara për pastrim parash.
Einhorn i kërkoi gjithashtu Kinës, aleati tradicional i Phenianit, të mbështesë vënien në zbatim të sanksioneve. "Kërkojmë që Kina të luajë një rol të përgjegjshëm në komunitetin ndërkombëtar", shtoi ai.
Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, pas rezultateve të një hetimi ndërkombëtar, akuzojnë Phenianin për mbytjen e një anijeje lufte koreanojugore, më 26 mars pranë kufirit detar ndërkorean në detin e Verdhë. Dyzetë e gjashtë marinarë koreanojugorë humbën jetën në këtë incident.
/I.Pu.