English

Shkrepën armë në dasma, arrestohen 8 veta

Prishtinë, 2 Gusht, NOA – Dukuria e shkrepjes së armëve gjatë ceremonive festive të dasmave, në Kosovë duket se nuk është edhe aq e lehtë për t’u luftuar pasi ajo ndiqet nga shumë persona.

Kështu, vetëm gjatë kësaj fundjave, siç bëjnë me dijeni burimet e Policisë së Kosovës, janë arrestuar tetë të dyshuar për përdorim të armëve të zjarrit në ahengje familjare apo dasma.

Rastet janë konstatuar në Mitrovicë, Prishtinë dhe Prizren, ku policia ka konfiskuar katër armë automatike AK 47 dhe katër revole (tri të tipit TT dhe një zastava) si dhe janë arrestuar tetë të dyshuar.

Një prej rasteve të tilla është raportuar të ketë ndodhur edhe në Suharekë rreth orës 16:00, ku të dyshuarit iu sekuestrua një revole e tipit TT me 12 fishek të kalibrit 7.62 mm.

Ndërsa në fshatin Drenoc të Malishevës është konfiskuar një armë automatike e llojit AK 47 me 136 fishek të kalibrit 7.62 mm dhe është arrestuar një i dyshuar për shkrepje të tij.

Madje, mësohet se si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit nëpër ahengje familjare, është plagosur edhe një fëmijë 2-vjeçar në Mitrovicë.

n.e/NOA

KOMENTE