Sistemi I Financimit, Favorizues Për Studentët E Mirë Dhe Degët Prioritare
TIRANË, 2 Gusht/ATSH/.-Reforma e re e financimit të arsimit të lartë favorizon studentët më të mirë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës pritet që së shpejti të prezantojë këtë sistem, nga i cili do të përfitojnë maturantët e viteve të ardhshme.
Kjo reformë parashikon dhënien e kuponëve, të cilat do të jenë të diferencuara në bazë të degëve të përzgjedhura nga maturantët. Ky diferencim, sipas MASH, do të favorizojë degë të cilësuara prioritare, si teknologjia e informacionit, mësuesia, etj.
Reforma e re e financimit do të parashikojë kosto të ndryshme studimi për degë të ndryshme. Degët e shkencave ekzakte, ku studimi kushton më shumë, do të kenë një kosto më të lartë.
Ndërkaq një koeficient gjeografik do të vendoset për universitetet në zona me kosto më të lartë, siç është Tirana. Koeficientët do të shumëzohen për të përcaktuar vlerën e kuponit në raport me koston. Në shumicën e degëve, vlera e kuponit do të jetë minimalisht 70 % e kostos së studimeve. Ndërsa degët prioritare do të subvencionohen tërësisht./e.gj/s.s./