English

Stabilizimi I Lekut, Bankat I Kthehen Kreditimit Në Lekë

-BSH konstaton rritje të nivelit të kredisë, orientim më të madh të saj drejt mbështetjes së investimeve dhe riaktivizimut të kredive në valutë- TIRANE, 2 Gusht /ATSH-E.Xhajanka/- Stabilizimi i monedhës kombëtare, lekut, kundrejt valutave të forta po fiton edhe besimin e sistemit bankar. Banka e Shqipërisë ka konstatuar në raportin e mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës se bankat tregtare që operojnë në vend kanë nisur të japin kredi në valutë. Kjo lloj huadhënieje ishte bllokuar që prej fundit të vitit 2008, për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të lekut shqiptar kundrejt valutave dhe veçanërisht euros. Gjatë dy viteve të fundit, bankat kanë preferuar të japin kredi në monedhën vendase, duke shmangur kështu rrezikun që vjen nga kursi i këmbimit, i cili është shoqëruar me rritje të nivelit të kredive të këqija. Kjo pasi forcimi i valutave dhe veçanërisht monedhës së përbashkët europiane i bën më të shtrenjta interesat mujorë të kredisë që duhet të paguajnë klienti, pasi normës së interesit i shtohet edhe kosto e transaksionit. Banka e Shqipërisë vlerëson se riaktivizimi i aktivitetit kreditues në valutë është një sinjal pozitiv për zhbllokimin e tregut të huadhënies në përgjithësi, i cili mbetet i shtrënguar për shkak të politikave mbrojtëse që po përdorin bankat ndaj efekteve të situatës së vështirë financiare ndërkombëtare. "Tregu i kredisë vazhdon të karakterizohet nga luhatshmëria e normave të interesit dhe kushte të shtrënguara të kredidhënies. Gjithsesi, zhvillimet e muajve të fundit përmbajnë nota pozitive, sidomos në tendencat rritëse të ritmit të kredisë, në orientimin më të madh të saj drejt mbështetjes së investimeve dhe në riaktivizimin e aktivitetit kreditues në valutë, për njësi ekonomike të cilat gëzojnë mbrojtje natyrale ndaj rrezikut të kursit të këmbimit",- theksohet në raportin e institucionit mbikëqyrës bankar. Banka e Shqipërisë thekson se e ka promovuar dhe do ta mbështesë vazhdimisht një zhvillim të tillë, duke inkurajuar sistemin bankar dhe kredi- marrësit të punojnë më shumë për gjetjen e formave, instrumenteve dhe praktikave efektive për nxitjen e kredisë. Ajo që vihet re është se me gjithë përmirësimin e situatës së likuiditetit dhe rënien e kostove të financimit të aktivitetit, kreditimi për sektorin privat vazhdon të rritet me ritme të ulëta. Rritja mesatare vjetore e kredisë për sektorin privat shënoi 9 për qind në tremujorin e dytë të vitit. /f.n/
KOMENTE