Temperatura Të Larta Edhe Gjatë Muajit Gusht
TIRANË, 2 Gusht/ ATSH-Suada Daci/.- I nxehti që karakterizoi muajin korrik pritet të jetë i pranishëm me të njëjtin intensitet edhe gjatë muajit gusht.
Sipas parashikimeve, mësohet se i nxehti afrikan do të mbërrijë në vendin tonë dhe temperaturat maksimale do të shkojnë në 40 gradë celcius.
Por sipas meteorologëve, në ditet e para të kësaj jave temperaturat parashikohet të ulen me 3 deri ne 4 gradë celcius në raport me javën e kaluar, për t'u rritur ndjeshëm në ditët në vazhdim.
Temperaturat sot në Tiranë, pritet të arrijnë në 31 gradë celcius, ndërsa ato minimale 21 gradë celcius.
Mjekët këshillojnë që në këto ditë të nxehta, të konsumohen sa më shumë ujë dhe fruta, si dhe veshjet të jenë sa më të lehta. Ambientet e brendshme duhet të freskohen sa më shpesh dhe të evitohet qëndrimi në diell për një kohë të gjatë./s.s./