Tiranë, 2 Gusht, NOA – Pasi në ditët e fundit të muajit korrik, të gjithë u freskuam nën temperaturat që ranë ndjeshëm dhe shirat e lehtë verorë, një sezon i ri vape shfaqet në këtë fillim të muajit gusht.
Kjo pasi metereologët bëjnë me dijeni faktin që ditët e para të gushtit pritet të jenë sërish të nxehta, ashtu siç ishin ato të mesit të korrikut, kur vendi dhe gjithë rajoni i Ballkanit në tërësi, u përfshinë nga i nxehti afrikan.
Rritja e temperaturave në fakt do të nisë që nga dita e sotme, ku ndryshe nga dje, do të shënohen rritje të tyre, për të vijuar edhe në ditët e ardhshme të kësaj jave.
Konkretisht, parashikimi i metereologëve të Meteoalb, pohon që dita do të vijojë me kushte të qëndrueshme atmosferike dhe se kthjellimet do të mbeten prezent në pjesën më të madhe të vendit gjatë ditëve të ardhshme.
Më tej, temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të ndjeshme si në vlerat e mëngjesit, dhe në ato të mesditës.
n.e/NOA