English

Alo 0900...? Një sekretari fantazmë e emisioneve televizive, vidhte kosovarët

Prishtinë, 3 Gusht, NOA – Alo 0900 500 600? Pas kësaj shprehje, një sekretari telefonike që të mbante kot në linjë dhe të bënte të humbisje minuta dhe euro të tëra.

Një skemë dinake mashtrimi kjo, e zbuluar nga forcat e policisë së Kosovës, të cilat bëjnë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se është kryer nga kompania “Media Plus” sh.p.k, e cila kishte fituar të drejtën për vënien në shfrytëzim të këtij numri telefonik, duke organizuar quize nga disa televizione lokale në Kosovë.

Lidhur me këtë, kompania në fjalë ka nënshkruar kontratë me Postë-Telekomunikacionin e Kosovës dhe IPKO-në për shfrytëzimin e shërbimeve telefonike me TVSH.

Konkretisht, në dispozicion për pjesëmarrësit në quizin televiziv të quajtur “Ferma Jonë”, një thirrje në numrin e vënë në dispozicion 0900 500 600, kushtonte 1 Euro + TVSH.

Por çfarë ndodhte në të vërtetë?

Ekipi hetimor që ka zbuluar gjithë skemën e mashtrimit zbuloi se gjatë thirrjeve që qytetarët kanë bërë në këtë numër, kompania “Media Plus” sh.p.k ka aktivizuar një lloj sekretarie telefonike e cila nuk u lejonte qasje në emision qytetarëve dhe u rrëmbente para që sa dilte sekretaria telefonike.

Konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA se nga këto veprime mashtruese të kësaj kompanie, janë dëmtuar një numër i madh i qytetarëve dhe shuma e përfitimit të kundërligjshëm të kompanisë ka arritur në vlerën prej 42.193.000 Euro.

E kjo, vetëm me kompaninë Vala pasi hetuesit janë ende në proces të analizimit të të ardhurave që i shkonin “Media Plus” sh.p.k. edhe me kompaninë e IPKO-së.

Menjëherë pasi është zbuluar kjo skemë e turpshme e mashtrimit të kosovarëve,

forcat e policisë së Prishtinës kanë arrestuar personin me emrin Avni. E., i cili rezulton që të jetë pronar i kompanisë “Media Plus” sh.p.k.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 261 i Kodit Penal të Kosovës.

Policia pas një procedure hetimore të caktuar, ka ngritur dyshimin se kjo kompani ka shkelur kushtet e kontratës që ka me PTK-në dhe IPKO-në dhe se është duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme.

n.e/NOA

KOMENTE