Prishtinë, 3 Gusht, NOA – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një intervistë ekskluzive për BBC-në ka thënë se idetë e presidentit serb Tadiç për negociata mbi statusin e Kosovës janë krejtësisht të parealizueshme.
Sipas tij, Kosova tashmë është 100 për qind e pavarur.
Opinioni i GJND-së për pavarësinë e Kosovës u cilësua ngjarja e dytë e madhe pas pavarësisë. Si e keni cilësuar ju këtë zhvillim?
Prezentimi i opinionit të gjykatës ndërkombëtare për statusin e Kosovës, ishte shumë i qartë, plotësisht në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, në përputhshmëri me vendimin e institucioneve për të shpallur Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Ai ishte fitore historike e diplomacisë kosovare dhe e institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. ishte kulmi i angazhimeve dhe i një njohjeje ndërkombëtare për shtetin tonë, duke i treguar gjithë botës se shpallja e Kosovës shtet ka qenë në përputhshmëri të plotë edhe me vullnetin e popullit edhe me të drejtën ndërkombëtare.
Tani është hapur një kapitulli ri për shtetin e Kosovës, kapitulli i konsolidimit dhe i forcimit të shtetit, i vazhdimit të njohjeve të reja dhe proçesi i integrimit në NATO, në BE, dhe në OKB.
Kryeministër ju po përmendi procesin e njohjeve të reja për Kosovën, derisa Serbia tashmë ka filluar një fushatë për të penguar njohjet dhe për të minimizuar atë që cilësohet fitore e GJND-së.
Ne nuk kemi bërë shumë zhurmë për opinionin e GJND-së, por kemi punuar shumë, së bashku me ekspertët vendorë e ndërkombëtarë për prezantimin e opinionit të GJND-së, dhe kjo tashmë ka dhënë efektet e veta maksimale që ishin befasi edhe për optimistët më të mëdhenj por edhe për pesimistët.
Mendoj se pas GJND-së do të vazhdojnë njohjet e reja. Serbia, natyrisht, do të vazhdojë me rolin e vet destruktiv, por është e paaftë dhe e pandikim në opinionin ndërkombëtar për të penguar ecjen përpara të Kosovës.
Për Kosovën do të ketë vetëm njohje të reja, zhvillim dhe integrim.
Sot (të martën) në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbahet një mbledhje për Kosovën. Ndërkohë, ministri i jashtëm serb Jeremiq ka filluar që me ngulm të kërkojë që shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, të mos e bëjnë një gjë të tillë.
Nuk është diçka e papritur nga Serbia, por ajo përsëri do të pësojnë autogola të tjerë.
Ky është një veprim nervoz dhe kryeneç që nuk do të japë rezultate, ndërsa ne do të vazhdojmë të sillemi në mënyrë shtetërore, në përputhshmëri të standardeve më të larta të shtetit demokratik dhe multietnik, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me një frymë të hapur bashkëpunimi me të gjithë.
Presidenti i Serbisë Tadiq ka dalë dje(të hënën) me një propozim të ri që statusi i Kosovës të zgjidhet sipas një modeli të autonomisë prej 1 e deri në 100, kjo domethënë se ai e pranon pavarësinë e dy milion shqiptarëve, por me kusht që të njëjtin status ta kenë edhe serbët në veri të Kosovës.
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran njëqind përqind. Ajo është njohur nga shtetet më të fuqishme të botës, është pjesë e Bankës Botërore, e FMN-së, dhe së shpejti do të jetë pjesë e BERZH-it. Kjo që vjen nga Serbia është një ide 'e marrë', një ide që ka qarkulluar që nga periudha e Slobodan Millosheviqit dhe është diçka që është më së paku e realizueshme, e cila nuk i duhet as Serbisë, as rajonit, dhe si e tillë shpejt do të nxirret në harresë.
Ju keni thënë se nuk do të ketë asnjëherë negociata me Serbinë për statusin. Për çfarë mund të ketë negociata?
Shteti i Kosovës mund të ketë bashkëpunim shtetëror me Serbinë, por në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk do të ketë bisedime për çështje të brendshme.
Dialog shtetëror po, dialog për çështje të brendshme, jo.
Çfarë do të bëni me serbët në veri, kur ata janë të pakënaqur me atë që po bën Prishtina për ta?
Ne i kemi prezantuar idetë tona të reja siç është hapja e zyrës së Republikës së Kosovës në veri, shërbimet e së cilës mund t’i shfrytëzojnë të gjithë qytetarët, së shpejti do të hapet edhe gjykata në veri, do të fillohet me procedimin e rasteve konkrete.
Atje do të vazhdohet me krijimin e komunës së re, organizim e zgjedhjeve të lira në tri komuna të tjera, por edhe me vazhdimin e politikave tona socio-ekonomike, për rritjen e mirëqenies në atë pjesë.
I vetmi plan për këtë pjesë është dokumenti i presidentit Ahtisaari dhe strategjia që e kemi prezantuar si institucione të Republikës së Kosovës.
A ka qeveria një ofertë konkrete ekonomike për Veriun?
Fillimisht, duhet të kemi ligjshmëri, duhet të kemi formimin e komunës së re, rend demokratik dhe më pas edhe angazhime socio-ekonomike.
T’i kthehemi edhe njëherë GJND-së. E konsideroni fitore për Kosovën opinionin e saj?
Definitivisht është kulmi i fitores së diplomacisë kosovare dhe i angazhimeve tona maksimale politike e diplomatike. Ky sukses në Hagë reflekton vetë progresin e arritur në Republikën e Kosovës. Kjo është një fitore historike, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.
Kjo falë edhe partnerëve ndërkombëtarë. Çfarë mendoni se nuk po funksionon në planin e brendshëm?
Në planin e brendshëm do të hapet perspektiva e konsolidimit dhe e forcimit të shtetit, zhvillimit ekonomik, hapjes së vendeve të reja të punës, e sundimit të ligjit dhe e qeverisjes së mirë, e luftës së pakompromis kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Së shpejti do të ketë veprime edhe në veri të vendit kundër kontrabandistëve multietnikë. Unë pres që raporti i progresit këtë vit të jetë shumë më pozitiv se sa vitin e kaluar.
Në cilën shkallë është lufta e proklamuar prej jush “zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Edhe në këto momente kur po flasim ka veprime në këtë drejtim. Pas njëmbëdhjetë vjetësh heshtjeje për këtë të keqe, kanë filluar që të lëvizin gjërat.
Nuk do të ketë kompromis në asnjë rrethanë, të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe unë do të vazhdoj ta zbatoj moton “zero tolerance” ndaj krimit dhe veprimeve negative.
Unë nuk do të interferoj në sistemin e drejtësisë, megjithëse sistemi i drejtësisë ende ka nevojë për reforma.
Si e vlerësoni mbajtjen në paraburgim të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj?
Kryeminstri Thaçi: Ato ditë kam qenë në vizitë zyrtare në SHBA. Ky ka qenë një lajm i papritur. UÇK-ja dhe populli i Kosovës nuk kanë kryer krime lufte. Unë jam shumë krenar që e kam udhëhequr luftën e UÇK-së për çlirim.
Besoj në drejtësinë ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë besoj edhe në pafajësinë e zotit Haradinaj.
E cilësoni si moment të ndjeshëm rifillimin e këtij procesi?
Unë nuk dua të paragjykoj, por po e ritheksoj se besoj në drejtësinë ndërkombëtare.
Siç ka fituar drejtësia në rastin e gjykimit të parë ndaj zotit Haradinaj, edhe këtë herë besoj në këtë drejtësi dhe në pafajësinë e zotit Haradinaj.
Më thoni nëse keni sinjale se cili nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjë këtë i pari?
Jam në kontakt të vazhdueshëm me baroneshën Ashton, e cila duke folur në emër të BE-së, ka thënë se të gjitha vendet e kanë mirëpritur opinionin e GJND-së.
Sapo kisha një takim edhe me delegacionin shtetëror të Greqisë. Gjithashtu jemi në kontakte të vazhdueshme edhe me autoritetet e Spanjës, Rumanisë dhe indirekt me ato të Qipros. Ajo që është e rëndësishme, është se të gjitha vendet e BE-së e kanë mirëpritur opinionin e GJND-së. Ky është hapi i parë, hapi i dytë është vendimi autonom i shteteve përkatëse, por unë dua të besoj se ekziston një vullnet më i mirë edhe nga Rumania e Sllovakia.
Do të përgatisë Kosova rezolutë të vetën për sesionin e Asamblesë së Përgjithshme në shtator, apo akoma nuk e keni vendosur?
Ne jemi duke i harmonizuar qëndrimet. Po punojmë me ekspertët tanë. Jemi duke realizuar aksionet tona vepruese edhe brenda, edhe në Bruksel, edhe në New York. Ne do t’i përgjigjemi çdo situate në përputhje me interesat shtetërore të Kosovës dhe me ambientin e ri të krijuar. Por, në çdo rrethanë nëse çështjet ngrihen në Asamblenë e Përgjithshme, do t’i japim përgjigje momentit dhe situatave që mund të krijohen. Por, jam shumë i sigurtë se edhe nëse kjo çështje hapet në Asamblenë e Përgjithshme, Kosova do të fitojë sërish.
BBC