Në qytetet e Gjilanit dhe Prizrenit janë arrestuar dy persona të dyshuar për posedim dhe kultivim të bimëve narkotike. Këtë vit, nga janari në korrik janë arrestuar 288 persona të dyshuar për trafikun e narkotikëve
Gjilan, Prizren, 3 gusht NOA – Në dy operacione të ndryshme oficerët e policisë për hetimin e narkotikëve në prishtinë dhe Prizren kanë vënë në pranga dy persona të dyshuar për prodhim dhe përpunim të paautorizuar të bimëve narkotike dhe substancave psiko-tropike.
Burime zyrtare nga policia e Prishtinës, njoftuan agjencinë NOA se rasti i parë ka ndodhur në rajonin e Gjilanit, ku policia pas një informate ka mësuar se në shtëpinë e një të dyshuari janë mbjellë rreth 20 bimë të llojit marijuanë.
Njësitë e policisë kanë shkuar për të verifikuar vendndodhjen e bimëve narkotike, dhe bastisur shtëpinë e të dyshuarit, duke gjetur në oborrin e tij, 20 bimët narkotike të llojit Canabis Sattiva.
Bimët e kultivuara në këtë serë kishin arritur lartësinë deri në dy metra.
Policia ka bërë fotografimin e këtyre bimëve, më pastaj i ka konfiskuar për ekzaminim të mëtejshëm.
Sipas burimeve nga kjo polici, në kohën kur u bë kontrolli i shtëpisë dhe serës, kultivuesi nuk ishte në shtëpi, por pasi është bërë identifikimi i tij personi i dyshuar është shpallur në kërkim.
Ndërsa rasti i dytë, u raportua në rajonin e Prizrenit ku hetuesit e sektorit të antidrogës, zbuluan në një lagje të Prizrenit një substancë të dyshuar si Kokainë.
Këtë substancë oficerët e policisë e konstatuan në duart e dy personave, 42 vjeçarit me iniciale A.D. dhe 22 vjeçarit H.D.
Sipas policisë, substanca ishte më ngjyrë të bardhë në formë pluhuri, e cila dyshohet të jetë kokainë, substancë kjo e paketuar në dy qese plastike, dhe e vendosur në tavolinën ku qëndronin të dyshuarit.
Kur hetuesit ishin duke kërkuar substancën narkotike, të dyshuarit janë ngritur në këmbë dhe kanë tentuar që t’i hedhin dëshmitë e gjetura dhe njëkohësisht kanë filluar t’i pengojnë hetuesit për të kryer punën e tyre.
Pas reagimit të shpejtë të policëve, arrihet që të vihet situata nën kontroll duke minimizuar tentimet e të dyshuarve për pengim dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e tyre, policët gjetën dy pjesë të metalta të tytës së armës luftarake dhe një shishe metadon.
Me urdhër të prokurorit të dyshuarëve u është kontrolluar automjeti dhe shtëpia e banimit e gjithashtu u është urdhëruar masa e ndalimit për 48 orë.
Policia e Prishtinës dhe e Prizrenit po hetojnë për trafik narkotikësh, mbi të dy rastet, ndërsa personat e akuzuar janë vënën në pranga.
mit/NOA