Tiranë, 3 gusht, NOA – Kërkesës së artikuluar sot nga opozita për mbledhjen e menjëhershme të Parlamentit pikërisht për ngritjen e Komisionit Hetimor për të hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit i është përgjigjur pozitivisht edhe mazhoranca.
Deputeti i PD-së, Viktor Gumi në emër të selisë blu deklaroi për mediat se në zbatim të kërkesave të Rezolutës së PE-së, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është i gatshëm, që në çdo kohë të thërrasë Kuvendin”.
Lidhur me deklaratën e mëparshme të deputetit të PS-së, Fatmir Xhafaj, deputeti Gumi theksoi se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka bërë propozimet e tij në negociatat mes opozitës dhe mazhorancës sa i përket komisionit hetimor, në të cilat, sipas Gumit, PS, rikonfirmon në përgjithësi pozicionet e saj të mëparshme.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike konsideron se, në respekt të Kushtetutës, kodit zgjedhor dhe vendimeve të gjykatës, rezoluta mund dhe duhet të zbatohet në frymë e në gërmë”, nënvizoi deputeti i PD-së.
Sipas selisë blu, “Rezoluta e PE-së është e qartë si kristali në kërkesat e saj, ndaj çdo interpretim partiak është i padobishëm”, përfundoi ai duke hedhur poshtë akuzat e sotme të deputetit Fatmir Xhafaj, që deklaroi më parë se mazhoranca nuk ka vullnet për zgjidhjen e krizës.
mit/NOA