Prishtinë, 3 Gusht, NOA - Policia dhe Dogana e Kosovës paraqiten mëse të dedikuara në luftë kundër kontrabandës.
Një fakt i tillë u theksua gjatë një takimi të përbashkët që u zhvillua sot mes drejtuesve të këtyre dy institucioneve: Behar Selimi, drejtor i Përgjithshëm i PK-së dhe Naim Huruglica, drejtor i Doganës së Kosovës.
Ata theksuan së bashku thellimin e bashkëpunimit në luftë kundër kontrabandës në tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke vënë një theks të veçantë për Veriun e vendit.
Nga ana tjetër, të dy drejtuesit e agjencive u pajtuan për themelimin e një ekipi të përbashkët (Task Force) që do të merret me parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, sidomos në veri të Kosovës.
Më tej, u tha se bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës krahas luftës kundër kontrabandës do të thellohet edhe në shkëmbimin e informatave inteligjente, shfrytëzimin e pajisjeve të përbashkëta, shkëmbimin e të dhënave për qarkullimin e mallrave dhe prejardhjen e mallrave të dyshuara.
n.e/NOA