English

Rahovec, lirohet djali i rrëmbyer përmes negociatash, arrestohen autorët

Pas negociatave policia arrin të lirojë viktimën e rrëmbyer dhe të arrestojë dy autorët e rrëmbimit

Rahovec, 3 gusht, NOA – Policia e Rahovecit ka mundur t’i shpëtojë jetën një djali të rrëmbyer mbrëmë, duke vënë në pranga edhe autorët e pengmarrjes.

Nga burimet zyrtare për agjencinë NOA mësohet se i ati i personit të rrëmbyer, M.B. ka telefonuar policinë për rrëmbimin e të birit të tij, me iniciale B.B, nga dy persona, mbrëmë rreth orës 22.00.

Me të marrë vesh ngjarjen, pesë minuta më pas, policia është nisur drejt vendit të rrëmbimit, në Rahovec, ku u raportua se një djalë i ri ishte rrëmbyer para shtëpisë së tij në një fshat të komunës së Rahovecit.

Sipas informacioneve nga i ati, autorët S. K. dhe H. K. kanë kapur viktimën me forcë, e kanë futur në një automjet dhe e kanë dërguar në një fshat tjetër po në komunën e Rahovecit.

Ata kanë përdorë dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës, për aq kohë sa e kanë mbajtur të izoluar.

Pas një plani të detajuar mirë njësitë patrulluese të stacionit policor të Rahovecit kanë shkuar në vendin e rrëmbimit dhe dhe fillimisht kanë biseduar me babain e viktimës së rrëmbyer.

Në bazë të informacioneve në rrugë operative njësitë policore kanë identifikuar vendin se ku është duke u mbajtur viktima e rrëmbyer dhe në mënyrë të organizuar dhe të menduar mirë, kanë zbuluar saktësisht ndodhjen e tij.

Njësitë patrulluese të Rahovecit të asistuar edhe nga njësitë speciale operative kanë arritur, që të bisedojnë me të dyshuarit dhe pas negociatave kanë arritur që t’i bindin ata të lirojnë viktimën në mënyrë vullnetare në duart e policisë.

Pas dorëzimit të të rrëmbyerit, dy autorët janë arrestuar, dhe u është komunikuar arresti për 48 orë, ndërsa po ndiqen penalisht nga hetuesit e qytetit të Prizrenit.

Sipas hetimeve të deritanishme ende nuk publikohen arsyet e rrëmbimit të djalit.

mit/NOA
KOMENTE