Beograd, 3 Gusht, NOA - Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi përbëjnë garanci për zhvillimin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.
Një fakt të tillë e ka pohuar ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi, gjatë një interviste të botuar në të përditshmen serbe “Danas”, deklaratë kjo që ka ngjallur interes për opinionin publik dhe mediat në Shqipëri.
Z. Çaushi, nga vizita e zotit ministër Ilir Metës, në mars të këtij viti, deri më sot, çfarë ka ndryshuar në marrëdhëniet bilaterale midis Shqipërisë dhe Serbisë?
Vizita në Beograd e zv-kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, zotit Ilir Meta, ishte një indikacion politik me vlera historike, që, padyshim, ka rolin e vet në një zhvillim të ri në marrëdhëniet midis të dy vendeve, Shqipërisë dhe Serbisë. Por, kjo vizitë e rëndësishme, nuk erdhi krejt papritur. Ajo ishte, gjithashtu, rezultat i zhvillimeve madhore gjeopolitike në rajonin tonë, orientimit të përbashkët të dy vendeve tona drejt linjave të pakthyeshme integruese evropiane.
Nga ana tjetër, klimën e re politike e favorizuan gjithashtu edhe mesazhet inkurajuese, të ndërsjella (reciproke) midis udhëheqësve prominent të Tiranës dhe Beogradit. Kryeministri i Shqipërisë, dr.Sali Berisha ftoi publikisht për vizitë zyrtare në Shqipëri, Presidentin e Republikës së Serbisë, zotin Boris Tadiç. Në të njëjtën kohë, Presidenti i Serbisë është shprehur në publik për domosdoshmërinë e bashkëpunimit midis të dy vendeve, jo vetëm si një pasqyrim të interesave të përbashkëta politike, ekonomike dhe njerëzore, por edhe si një faktor me ndikim të rëndësishëm pozitiv për krejt Ballkanin Perëndimor.
Vendimi i Shqipërisë, i miratuar në prill të vitit 2010, që të suprimohet regjimi i vizave për shtetasit serbë a ka ndikuar që të shtohet interesimi i shtetasve serbë që të vizitojnë shtetin Tuaj?
Është e vërtetë. Shqipëria bëri një gjest pozitiv duke ofruar lëvizje të lirë, pa viza, për qytetarët e Republikës së Serbisë. Kjo ka ndikuar ndejshëm në rritjen e numrit të vizitorëve serbë në vendin tonë, i cili ofron mundësi reale për biznesin, kulturën dhe veçanërisht për turizmin, në një vend që ka një zhvillim të shpejtë në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike dhe sociale. Çdo ditë kemi me dhjetëra e qindra telefonata në ambasadën tonë në Beograd, nga qytetarët tuaj që pyesin për vërtetësinë e këtij evenimenti. Është fare e thjeshtë dhe kënaqësi të rikonfirmosh edhe njëherë faktin, që qytetarët serbë mund të udhëtojnë në Shqipëri, vetëm me pasaportën e tyre.
A mund ta rekomandoni Shqipërinë si destinacion turistik edhe për ata qytetarë të Serbisë të cilët nuk janë të kombësisë shqiptare? (çmimet, cilësia e infrastrukturës, siguria).
Shqipëria tashmë është evidentuar si një vend atraktiv turistik, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në krejt Mesdheun. Në vitet e fundit, është ndërtuar një infrastrukturë moderne turistike, janë rikonstruktuar, madje janë ndërtuar rrugë të reja, gjatë bregdetit tonë dhe kudo në vend, janë krijuar kushte të nivelit bashkëkohor në hoteleritë, në ato të
shërbimit, të cilat mund të krahasohen me ato të vendeve të zhvilluara tradicionale evropiane.
Për turistët serb do të rekomandoja vendet historike dhe ato arkeologjike, si Amfiteatrin e lashtë të Durrësit, zbulimet e vjetra dhe të reja të Apolonisë apo ato të Butrintit në Sarandë, në Jug të Shqipërisë, bregdetin Adriatik nga Velipoja pranë Shkodrës deri në Vlorë, në detin Jon, me ujërat e ngrohta dhe të pastra ekologjikisht, etj.
Turistët tuaj do të kenë një rast më shumë, për të provuar mikpritjen dhe respektin e shqiptarëve, garancinë dhe sigurinë e një udhëtimi të qetë dhe plot kuriozitete.
Serbia ende nuk i ka suprimuar vizat për shtetasit e Shqipërisë. Pse? Çfarë u kanë thënë zyrtarët serbë për këtë?
Është e vërtetë që Serbia mban akoma sistemin e vizave për Shqipërinë. Kjo pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë për të vizituar vendin tuaj të admirueshëm dhe me vlera turistike dhe ekonomike. Nga pala jonë u është kërkuar autoriteteve të larta të Serbisë, që të aplikojnë të njëjtat standarde për qytetarët tanë, heqjen e vizave, sikundër veproi Shqipëria për qytetarët serbë. Një gjesti pozitiv tonit, besoj që Beogradi zyrtar do t’i përgjigjet po me të njëjtin gjest.
Cila është rëndësia më e madhe konkrete e marrëveshjes ndërshtetërore midis Shqipërisë dhe Serbisë në fushën e shëndetësisë?
Ministri ynë i Shëndetësisë, zoti Petrit Vasili zhvilloi bisedime të frytshme dhe konkrete në Beograd me homologun e tij serb, zotin Tomica Milosavjevic. U nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi midis të dy palëve. U bisedua për mundësinë e shkëmbimeve të eksperiencës mjekësore, të mjekëve dhe profesorëve të njohur të dy vendeve në fushën e mjekësisë, por edhe të studentëve nga të dy palët. U ra dakord për shkëmbimin e eksperiencave të secilit vend në realizimin e reformave të standardit evropian, për modernizimin e mëtejshëm të mjekësisë, të mbrojtjes së shëndetit publik, etj.
Ndërkohë, Shqipëria është e interesuar për të importuar mjaft medikamente shëndetësore, për prodhimin e të cilave Serbia është mjaft e njohur, për të bashkëpunuar në luftën kundër sëmundjeve të rënda, kancerit, sëmundjeve infektive, në plan bilateral dhe multilateral. Zoti Milloslavjevic është i ftuar për një vizitë në Shqipëri, e cila do të realizohet së shpejti.
A ekziston mundësia për përforcimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë?
Mendoj se pala shqiptare ka demonstruar dëshirën për bashkëpunim në të gjitha fushat, pa asnjë paragjykim dhe në mënyrë konstruktive. Ne jemi të gatshëm që edhe në fushat që ju përmendni, ta thellojmë më tej bashkëpunimin.
Cilat janë rezultatet konkrete të arritura deri më tani në arsim, në fushën e mësimit të gjuhës shqipe, ose të gjuhës serbe në Shqipëri?
Ka një kooperim në rritje midis Universitetit të Tiranës dhe atij të Beogradit.Me ftesë të Rektorit të Universitetit të Beogradit, Prof.Dr. Branko Kovacevic, në maj të këtij viti, bëri vizitë në Beograd, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr. Dhori Kule. U bisedua për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën akademike, të studentëve, por edhe për përfundimin e doktoraturave dhe nivelit të masterave, reciprokisht, në universitetet respektive.
Katedra e Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filologjik të Beogradit është më vjetra si e tillë në krejt Ballkanin dhe mbase edhe në Europë. Ajo do të ketë vëmendjen dhe mbështetjen edhe të Qeverisë Shqiptare, gjithashtu edhe Katedra e Serbishtes në Tiranë, do të përjetojë zhvillime progresive. Zhvillimet ekonomike midis të dy vendeve, do të rrisin interesin dhe “tregun” për përgatitjen e më shumë studentëve të gjuhës shqipe dhe asaj serbe, në mbështetje të këtij zhvillimi, ata do të jenë një bazë solide për lidhjen midis të dy vendeve tona.
A munden Shqipëria dhe Serbia t’i ndihmojnë njëra tjetrës në procesin e integrimeve evropiane, dhe si?
Fusha e integrimeve evropiane është baza dhe qëllimi kryesor për të dy vendet tona. Ne tashmë e kemi filluar këtë bashkëpunim. Së shpejti, një delegacion i yni ekspertësh të kësaj fushe, do të vijë në Beograd për të shkëmbyer eksperiencën me
ekspertët serbë të Ministrisë përkatëse që merret me proceset e integrimit evropian.
A ka çështje të hapura midis Shqipërisë dhe Serbisë, dhe nëse ka, cilat janë?
Dy palë që diskutojnë, është e natyrshme të kenë edhe tema për të cilat ose nuk bien dakord, apo nuk ndajnë të njëjtin mendim, ose kanë kundërshtime parimore për çështje specifike. Kjo nuk do të thotë që dialogu të mos vazhdojë apo të ndërpriten fushat e bashkëpunimit me interes reciprok.
A priten vizitat e reja reciproke të zyrtarëve të lartë të dy shteteve? (ju lutem nëse keni hollësira na i thoni).
Priten vizita mjaft të rëndësishme midis të dy vendeve, përfshirë edhe vizitën e Presidentit tuaj të nderuar, zotit Boris Tadiç, të cilën ai vetë e deklaruar si historike, mbasi është vizita e parë zyrtare të një presidenti të Serbisë në historinë moderne, midis dy vendeve tona. Gjatë muajit qershor të këtij viti, Ndihmës Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, i ngarkuar me Bashkëpunimin Rajonal, zoti Zdravko Ponos, zhvilloi konsultime politike midis ministrive të punëve të jashtme në Tiranë, e ftuar nga zëvendës Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, zonja Edith Harxhi. Ky është një
moment i rëndësishëm, pasi për disa dekada, midis të dy vendeve nuk janë zhvilluar të tilla negociata politike. Ato u zhvilluan me sukses, duke i hapur hapësirë edhe takimeve të tjera të niveleve edhe më të larta politike.
Po ashtu, vetëm pak kohë më parë, bëri vizitë zyrtare në Shqipëri Ministri i Energjetikës së Serbisë, zoti Petar Skundric, i cili nënshkroi me homologun shqiptar, Dritan Prifti, një sërë marrëveshjesh shumë të rëndësishme në fushën e energjetikës.
Dhe kjo do të vazhdojë më tej…
Si e komentoni mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, dhe sipas mendimit tuaj, cilat do të mund të ishin pasojat e vendimit të Gjykatës ?
Tashmë është e njohur botërisht opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mendimi im është i njëjtë me atë të Qeverisë së vendit tim, i cili i përket 69 vendeve që e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës. Ne i përmbahemi pikëpamjes se një zgjidhje e tillë do të garantojë stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Për mendimin tim, u përket të gjitha vendeve të rajonit që, këtë opinion ta menaxhojnë drejt politikisht, me qëllim që t’i shërbejë qëllimit të përbashkët të këtyre shteteve drejt integrimit evropian, që është aspirate e të gjithë popujve tanë.
E rëndësishme është që, konstatojmë me kënaqësi, se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, po japin aktualisht shembuj të një zhvillimi intensiv të marrëdhënieve bilaterale midis të dy vendeve, që ndikon pozitivisht në tërë rajonin tonë.
“PreshevaNEWS”