Durrës, 3 Gusht, NOA – Ishte vjedhur në Itali, por shoferi po përpiqej ta kalonte për në tokën shqiptare përmes portit të Durrësit.
Fjala është për një automjet Seat-Ibiza me targa CS712XH, i cili nga verifikimi që iu bë prej punonjësve të policisë kufitare, ka rezultuar se ishte vjedhur në Itali në 6 maj të vitit të kaluar.
Menjëherë, forcat e policisë kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të poseduesit të tij, që mban inicialet A.P, 43-vjeç, lindur dhe banues në Lezhë.
Mësohet se ai ishte duke u kthyer nga Italia me tragetin e linjës Bari-Durrës dhe është paraqitur në sportelin e policisë kufitare së bashku me automjetin e vjedhur, duke tentuar ta kalojë përmes saj.
Më tej, materialet për veprën penale të “Trafikimit të mjeteve motorike”, iu kaluan për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së Durrësit.
n.e/NOA