Prishtinë, 4 Gusht, NOA – Koncerti i Eros Ramazzotit, parashikuar që të mbahej në datën 9 gusht në Prishtinë, është anuluar sërish.
Në fakt, kjo ishte data e re e caktuar për koncertin, ndërsa ai u anulua herën e parë kur ishte përcaktuar në datën 30 korrik.
Kjo ndodhi pasi produksioni i kontraktuar u cilësua si i papërshtatshëm teknikisht dhe financiarisht e për këtë arsye, data u shty më 9 gusht për të kërkuar një kontratë të re produksioni.
Por kjo gjë mesa duket nuk ka ndodhur sërish dhe kompania UBBOSS ka bërë të ditur se koncerti i ri Eros Ramazzotit është anuluar.
“Me keqardhje ju njoftojmë se përkundër përpjekjeve tona për të rikthyer koncertin e Eros Ramazzottit në Prishtinë, edhe pas konfirmimit të dytë më 9 gusht, sot kemi pranuar një informatë nga menaxheri i artistit se e kanë shumë të vështirë të gjejnë një produksion të përshtatshëm teknikisht dhe financiarisht për datën e re të koncertit. Produksioni i kontraktuar për datën 30 korrik, i cili nuk u lejua të futet në stadium, e ka të pamundur të vijë më 9 gusht”, thuhet në njoftimin e lëshuar lidhur me një fakt të tillë.
Duke shtuar se menaxheri i artistit është munduar të gjejë një produksionin tjetër, mirëpo ai ende nuk e ka bërë dot këtë që do të mund të realizonte koncertin në datën e re.
“Meqë artisti kishte konfirmuar koncertin për 9 gusht, një koncert i tillë mund të mbahet ne turneun e ardhshëm të artistit në rrethana më të përshtatshme për organizatorët. Shumica e biletave tashmë të shitura janë duke u kthyer, dhe do të vazhdojnë të kthehen në zyrat tona çdo ditë pune duke filluar nga ora 09:00 deri në orën 18:00 - deri në biletën e fundit”, sqaron më tej njoftimi.
n.e/NOA