English

Berisha: Eksportet “Made in Albania” u rritën me 65 përqind në korrik

Rritjet ekonomike janë jashtë çdo parashikimi. Asnjë vend nuk ka regjistruar një rritje të tillë eksportesh në këto 7 muaj. Shqipëria kryeson dhe është jashtëzakonisht pozitive se kryeson me një ekonomi reale...

Tiranë, 4 gusht, NOA – Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha, është ndalur edhe në zhvillimet e ekonomisë sonë, dhe pikërisht tek eksportet e prodhimeve shqiptare, ku shefi i qeverisë deklaroi se “muaji korrik shënoi rritje me 65 përqind të eksporteve “Made in Albania”.

Kreu i qeverisë, duke iu referuar rritjes ekonomike gjatë korrikut, theksoi se “në rrafshin ekonomik, muaji korrik është një muaj me lajme qartësisht pozitive. Dua të informoj qytetarët se treguesi më i ndjeshëm, më i fortë dhe solid i prodhimit janë eksportet. Për muajin korrik, eksportet “Made in Albania” kanë një rritje prej 65 përqind dhe në këtë rritje, nuk ka asnjë qindarkë të ardhur nga shiu, pra, nga energjia, por e tëra është rezultat i mundit, punës dhe djersës. Kjo është një arritje shumë e madhe”.

Sipas kryeministrit, për t’u shënuar është rritja thellësisht pozitive e eksporteve me materiale të importuara.

Në këtë kontekst, shefi i qeverisë, Berisha, u është përgjigjur rishtas akuzave të opozitës, për humbje të bizneseve të fasonerisë, me fjalët; “ Ju i keni parë lotët e krokodilit, që u derdhën për fasonët. I ftoj ata që bëjnë hipokrizi, të marrin statistikat dhe të shohin se në 7 muaj ka një rritje prej 29 përqind dhe të mos harrojmë se në tërësi janë që të gjitha prodhime të imta, këpucë, tekstile, janë edhe minerale, por jo më shumë se në masën 17 përqind e eksporteve shqiptare. Ndërsa rieksportet janë industri tekstile, veshje, këpucë etj.”, nënvizoi sakaq kryeministri.

Kryeministri cilësoi se “Kjo do të thotë se ka një rritje të ndjeshme të punësimit”.

Ai foli me shifra, ku sipas kryeministrit Berisha, në total, eksporti i 7 muajve kap vlerën e 95.2 miliard lekë, kundrejt 57 miliard të 7 muajve të vitit të kaluar.

“Siç e shihni, rritjet janë jashtë çdo parashikimi. Asnjë vend nuk ka regjistruar një rritje të tillë eksportesh në këto 7 muaj. Mund të lundroni në internet dhe të gjeni eksportet e të gjitha vendeve. Shqipëria kryeson dhe është jashtëzakonisht pozitive se kryeson me një ekonomi reale, mundi, djerse, mendjeje dhe muskujsh të njerëzve të saj”, përfundoi diskutimin e tij mbi këtë temë, shefi i qeverisë.

mit/NOA

KOMENTE