Durrës, 4 gusht, NOA – “Në pesë vitet e fundit është dhjetëfishuar numri i turistëve në Shqipëri dhe vetëm këtë vit, numri i turistëve të huaj në plazhet e Durrësit, por dhe në mbarë Shqipërinë, ka pësuar një rritje prej 25%”.
Kështu është shprehur sot kryeministri Sali Berisha, i cili në vijim të fushatës së inaugurimeve është ndalur në rrugën e re Ura e Dajlanit - Kodrat e Rrashbullit, në Durrës, një investim i qeverisë, që kap vlerën 2 milion euro.
Duke u ndalur tek zhvillimi i turizmit në vend, shefi i qeverisë, Berisha tha se “Turizmi ka njohur dhe njeh një bum të papërmbajtur. Në rast se në vitin 2004, kufijtë e këtij vendi i kaluan gjithsej 300 mijë qytetarë, vitin e kaluar kjo shifër ishte 3 milion”.
“Asnjë vend në 5 vite nuk ka njohur kurrë dhjetëfishim të numrit të tij të turistëve siç ka njohur Shqipëria. Po këtë vit zhvillimet janë jashtëzakonisht pozitive. Këtë vit numri i të huajve, që kanë ardhur në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë ka një rritje prej 25%”, theksoi kryeministri.
Sipas tij, turizmi është shndërruar në një kohë të shkurtër në një degë kryesore të ekonomisë shqiptare.
Gjatë përurimit të kësaj rruge, që i shërben tërësisht përmirësimit të infrastrukturës rrugore, që të çon në bregdet, shefi i qeverisë, tha se “vetëm 5 vitet e fundit janë investuar në këtë qytet dhe komunat e tij, 12 herë më shumë se 8 vitet pararendëse të marra së bashku”.
“Në Durrës dhe komunat e qarkut të tij, janë asfaltuar mbi 400 km rrugë, janë ndërtuar mbi 40 shkolla, mbi 50 qendra shëndetësore, me qindra kilometra kanalizime. Durrësi si qark, qëndron në krye për infrastrukturën e tij. Komunat e Durrësit, qyteti, bashkitë e tjera, janë transformuar krejtësisht”, konfirmoi Berisha.
Kryeministri tha se kjo qeveri, do të vijojë punën e saj për shtimin e investimeve të mëdha në mbarë vendit, për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë evropian.
“Asgjë nuk ka në trashëgiminë tonë më evropiane se Durrësi dhe visaret e tij. Le të punojmë ne së bashku për këtë fytyrë të vërtetë Evropiane të Shqipërisë në të katër anët e saj. Në këto katër vite, ne do të ndërtojmë infrastrukturën në mbarë Shqipërinë. Ne do të bëjmë, që çdo komune nga çdo qendër komune, cilado qoftë ajo, të zbritet për 30 minuta në aksin e rrugëve kombëtare, nga çdo fshat ku jetojnë qytetarët shqiptare, të zbritet për 30 minuta në qendër të komunës”, përfundoi premtimin e tij për vijimin e investimeve të qeverisë për qytetin bregdetar të Durrësit, një nga qendrat turistike më të populluara në vend.
mit/NOA