English

Hipokrizia ndaj WikiLeaks

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA tha se themeluesi WikiLeaks, Julian Assange, i kishte “përlyer duart me gjak", gazetarët e Fox News e quajtën "organizatë terroriste", kurse njëri nga kolumnistët e Washington Post e konsideroi "ndërmarrje kriminale"

Nga Sunny Hundal*

Me t’u publikuar dokumentet për Afganistanin në WikiLeaks, u bë e qartë se skeptikët e zakonshëm do të fillojnë ta sulmojnë lajmëtarin e jo të diskutojnë për lajmin. Disa kolumnistë ishin më të shpejtë në shkrepje, duke konkluduar se WikiLeaks po e dëmtonte luftën në Afganistan. Tash, retorika ka arritur në nivele absurde. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA’ve tha se themeluesi WikiLeaks, Julian Assange, i kishte “përlyer duart me gjak", gazetarët e Fox News e quajtën "organizatë terroriste", kurse njëri nga kolumnistët e Washington Post e konsideroi "ndërmarrje kriminale". Ish-fjalimshkruesi i Presidentit Bush, i cili më parë e kishte arsyetuar torturën me ujë, tha se donte ta mbyllte këtë web faqe dhe ta sillte Assange "para drejtësisë" në cilëndo mënyrë. Një redaktor i WikiLeaks u mor në pyetje nga policia kufitare e SHBA-ve. Nëse kjo ju duket befasi, atëherë nuk i njihni mirë mendjet e prishura dhe hipokrite të neokonservatorëve. Por, kësaj çështjeje do t’i kthehem pas pak. Të jem i qartë, gjithmonë e kam mbështetur luftën në Afganistan (por jo atë në Irak), dhe mendoj se talibanët janë ndër grupet më diabolike terroriste në botë. Por, rasti kundër WikiLeaks nuk e meriton këtë hetim kaq të madh. A i ka rrezikuar ky veprim jetët e afganëve? Kjo është e besueshme vetëm nëse mendoni se talibanëve iu mungojnë shënjestrat dhe nuk kanë informatorë. Këto dokumente tashmë kanë qenë në dispozicion të çdo ushtari dhe kontraktuesi në Afganistan. A e dini kush i ka rrezikuar jetët e afganëve? Forcat e NATO’s, për të cilat është zbuluar se qëllimisht i kanë fshehur shumë raste të viktimave civile. Në qoftë se do ta diskutonim fshehjen e vdekjes së disa britanikëve, do të kishte pasuar reagimi i dhunshëm (me arsye). Por, për shkak se ata janë afganë, establishmenti ushtarak mund të shpëtojë duke u përpjekur ta fokusojë vëmendjen në lajmëtarin e dështimeve të tyre. Ka kohë që këtyre njerëzve iu është bërë e qartë se zvogëlimi i viktimave civile në Afganistan mund të ndikojë gjithashtu në zvogëlimin e sulmeve ndaj ushtarëve amerikanë. Eh, kush do ta kishte menduar? Ashiqare, këtu kemi të bëjmë me një çështje më të madhe: me paturpësinë mendjeturbulluese të lëvizjes neokonservatore amerikane dhe qasjen e tyre hipokrite ndaj marrëdhënieve të brendshme e të jashtme. Në njërën anë, ata në mënyrë histerike pretendojnë se Barack Obama është duke e shkelur Kushtetutën amerikane, por nga ana tjetër me qëllim nuk e respektojnë pjesën e Kushtetutës ku flitet për lirinë e praktikimit të fesë, pasi e kundërshtojnë ndërtimin e xhamive të reja. Ata duan t’i mbrojnë liritë qytetare dhe lirinë e shtypit kur myslimanët janë ata të cilëve iu kërkohet të iluminohen (rasti i karikaturave daneze), por nuk mund ta durojnë mbrojtjen e të drejtave të njëjta kur bëhet fjalë për ata (Tariq Ramadan, "Literatura e Urrejtjes", grupet myslimane si Hizb-ut-Tahrir, ndalimi i perçes). Kundërshtimet e ashpra standarde janë se këta njerëz po e kërcënojnë ekzistencën tonë, kështu që duhet të bëhen përjashtime. Por, jo vetëm që pretendimet për ndryshimin e strukturës demografike të Europës nuk janë të sakta, por e tradhtojnë atë lloj relativizmi moral për të cilin ata gjithmonë i akuzojnë kundërshtarët e tyre. Siç kam treguar më lartë, vlerat e iluminizmit dhe liritë qytetare të cilat këta injorantë duan që të mbrohen nga Perëndimi, fërfëllohen mënjanë në çastin kur kërcënohen interesat e tyre. Nuk e di nëse është e mundshme të stabilizohet Afganistani nëpërmjet forcave të NATO-s. E di se talibanët nuk e duan stabilizimin, por vetëm kontrollin e plotë dhe të përgjakshëm. Por ne, publiku, meritojmë ta dimë të vërtetën për atë që po bëhet në emrin tonë, dhe jo vetëm për arsye se po i financojmë këto luftëra të cilat përfshijnë ushtarë nga shoqëritë tona. Ishte mungesa e transparencës ajo që na dërgoi në Irak dhe e destabilizoi Afganistanin edhe më shumë. Tash, pyetja nuk duhet të shtrohet nëse WikiLeaks e ka destabilizuar Afganistanin, por pse këtyre njerëzve, të cilët na shtynë në fatkeqësitë më të mëdha të politikës së jashtme të kësaj gjenerate, ende iu kushtohet vëmendje.

(*) “The Guardian”

KOMENTE