English

Korrupsioni galopant në Ballkan, nga komunizmi dhe varfëria e skajshme

Bukuresht, 4 gusht, DW – Në Ballkan, rryshfeti është pjesë e jetës së përditshme. Bakshishi të shoqëron qysh nga djepi e deri në varr, në të gjitha shtresat e popullsisë. Ajo që njërit i shkon për shtat, tjetrit nuk i prish punë.

Në mbarë Ballkanin qarkullon batuta: Një student i historisë i paguan profesorit 200 euro dhe në provimin me gojë atij i shtrohet pyetja: Ku u hodh bomba e parë atomike? Pasi ai përgjigjet "në Hiroshimë" e merr provimin dhe mund të largohet. I dyti që hyn në provim refuzon të paguajë bakshish, por ai u përgjigjet saktë të gjitha pyetjeve si: Ku ra bomba e parë atomike, kur dhe sa njerëz gjetën vdekjen? Por ai dështon në pyetjen e fundit: "Si quhen mbi 200.000 viktimat?"

Korrupsioni lulëzon më shumë se kurrë

Në të gjitha vendet e Ballkanit, "ligji" jep e merr nën dorë praktikisht pranohet nga të gjitha shtresat e popullsisë. Në renditjen e listës së ekspertëve të “Transparency International” (TI) këto vende janë si të thuash në garë midis tyre për vendin më të keq në Evropë. Në Serbi vitin e kaluar, sipas TI-së një në pesë qytetarë ka përdorur ryshfetin. Në Bullgari, një vend anëtar i BE-së, sipas të dhënave të "Qendrës për Studimet e Demokracisë" madje një në katër vetë përdor ryshfetin.

Qysh në momentin e lindjes së fëmijës, prindërve u duhet të paguajnë ryshfet në spital, për të siguruar një shërbim disi njerëzor. Madje me ryshfet rregullohet edhe se cilin varr do të ketë babai në varreza pas vdekjes - për këtë mjafton një zarf me para i vendosur me marifet mbi tavolinë. Edhe në shkollë dhe në universitet asgjë nuk ecën pa "shpërblyer" mësuesit e profesorët.

Përpara katër vjetësh pikërisht në Fakultetin e Juridikut në Kragujevac të Serbisë u zbulua një aferë e madhe. Dhjetë profesorë u arrestuan nën akuzën se kishin shitur diploma, ndër ta edhe dekani, një ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe një ekspert në çështjet e kriminalitetit të organizuar. Deri më sot të gjithë të akuzuarit janë të lirë dhe asnjëri nuk është dënuar.

Në Kroaci përmes aferës kriminale "librezat e studimit" në fund të vitit 2008 u bë publike "lista e çmimeve" në universitete. Një provim i thjeshtë mund të kalohet me 500 kuna (70 euro), ndërsa provimi më i vështirë mund të merret me sukses nëse paguan 10.000 kuna (1390 euro). Nëse do të blesh dy provime të vështira në "një paketë" përfiton një skonto, duke paguar vetëm 15.000 kuna (2100 euro). Prej vitesh ka spekulime dhe të dhëna, se mjekët grekë, që sot kanë pozicione të rëndësishme, i kanë kaluar provimet e tyre në Universitetin e Nishit në Serbi.

Shteti më i korruptuar në Evropë, Bosnje-Hercegovina

Ekspertët e TI-së vitin e kaluar i renditën Bullgarinë, Maqedoninë dhe Rumaninë në vendin e 7-të të listës mbarëbotërore të shteteve të korruptuara, sepse këto vende kishin një vlerë prej 3,9. Sa për krahasim: Zvicra zë vendin e 5-të me një vlerë (9,0), Gjermania renditet e 14-a me (8,0) dhe Austria në vendin e 16-të me (7,9). Shumë më keq paraqiten Serbia në vendin e 83 (3,5) dhe Shqipëria e 95 me (3,2). Në Evropë si shteti më i korruptuar renditet Bosnje-Hercegovina në vendin e 99 (3,0).

"Elitat politike janë promotorri për korrupsionin në Bosnje", thotë drejtori i atjeshëm i TI-së, Srdjan Blagovcanin. «Të ashtuquajturat korrupsione të vogla në fushën e shëndetësisë, arsimit, administratës dhe të policisë janë pasojë e mashtrimeve të mëdha". Qytetarët e shohin se si "peshqit e mëdhenj" në politikë mbeten të pandëshkuar dhe si rrjedhojë atyre u duket e drejtë dhe e favorshme që t' i realizojnë kërkesat e tyre me ndihmën e "bashkishit".

Një vizitë tek mjeku në Bosnje kushton mesatarisht afro 126 euro, njoftojnë mediet lokale. Me rreth 223 euro mund t' i bësh për vete profesorët e universiteteve. Kjo shumë është gjithësesi thuajse sa gjysma e rrogës së tyre.

Politikanët dhe drejtuesit

Por këta janë peshqit e vegjël krahasuar me politikanët dhe drejtuesit e autoriteteve të vendit. BE-ja ndërpreu përpara dy vjetësh paratë për ndërtimin e rrugëve në Bullgari, sepse miliona para zhdukeshin nëpër kanale të errëta. Në Kroaci një ish-ministër i Mbrojtjes është në proces gjyqësor, sepse për blerjen e kamionëve ka vënë mënjanë një shumë milionëshe. Ish-kryeministri kroat Ivo Sanader, në media përmendet si i implikuar në skandalin e kredive të diskutueshme të bankës Hypo-Alpe-Adria. Ish-kryeministri i Rumanisë në vitet 2000-2004, Adrian Nastase, duhet të sqarojë përpara trupit gjykues, se nga vijnë 400 000 dollarë amerikanë në xhirollogarinë e të shoqes së tij.

Sociologët në vendet e Ballkanit kanë shkruar shumë artikuj, përmes së cilës bëhen përpjekje për të sqaruar korrupsionin galopant. Mangësitë nga koha e komunizmit dhe varfëria e madhe konsiderohen sot në pjesë të tëra të vendit si shkaqe për korrupsionin. Ekspertët janë të një mendimi se për sa kohë sa nuk ka përmirësim në politikën e madhe, nuk ka asnjë shans që të çrrënjoset korrupsioni nga jeta e përditshme e qytetarëve.

Deutsche Welle

KOMENTE