Skënderaj, Prekaz, 4 gusht, NOA – Një person ka gjetur vdekjen mbrëmë i vrarë me armë zjarri, në fshatin Prekaz i ulët, në qytetin në veri të Kosovës, Mitrovicë.
Burime zyrtare nga policia e Kosovës thanë për agjencinë NOA se bëhet fjalë për 33 vjeçarin Nuredin R.L., i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra nga shtënia me armë zjarri.
Policia thotë se lajmi për vrasjen e 33 vjeçarit u mësua përmes një telefonate të mbarritur në stacion policor të Skënderajt, rreth orës 22.20, të mbrëmjes së djeshme.
Ishte Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Skenderaj që njoftonte se në repartin e emergjencave ishte sjellë një person pa shenja jete.
Menjëherë një njësi policore e stacionit të Skënderaj, ka shkuar në këtë qendër ku ka marrë konfirmimin nga mjeku se si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, Nuredin R.L. kishte ndërruar jetë.
Ngjarja raporton policia ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së viktimës në fshatin Prekaz i Ulët në Skënderaj.
Nga hetimet e deritanishme ende nuk janë mësuar shkaqet e vrasjes.
Policia e Mitrovicës po heton të gjitha pistat e mundshme si dhe po punon për identifikimin e autorëve.
mit/NOA