Krujë, 4 gusht, NOA – Nga operacionet e nisura nëpër të gjithë vendin për asgjësimin e bimëve narkotike, janë gjetur bimë të mbjella Cannabis Sattiva edhe në disa parcela toke në fshatin Mazhë e Madhe, në qytetin e Krujës.
Burime nga policia e Durrësit thanë për agjencinë NOA se dje pasdite, në orën 18.30, u arrestua në flagrancë 54 vjeçari Shaqir Prrini, i arsimuar me tetë klasë shkollë, dhe banor në fshatin Mazhë e Madhe, të Krujës.
Pas informacioneve të marra në rrugë operative, pas kontrollit të ushtruar në parcelat e tokës në pronësi të 54 vjeçarit, Prrini, u gjetën dhe sekuestruan 36 rrënjë bimë narkotike Cannabis Sattiva.
Policia ka nisur tashmë procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të një tjetër shtetasi, 50 vjeçarit me iniciale H.P.
Procedimi penal ndaj tij, sipas policisë nisi për shkak se nga verifikimet e kryera rezultoi se një pjesë e tokës e mbjellë me bimë narkotike Cannabis Sattiva, ishte pronë e këtij shtetasi.
Të dy kultivuesit po ndiqen tashmë penalisht nga Prokuroria e krujës, për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike.
mit/NOA