English

Makina del nga rruga, vdes shoferi

Shkodër, 4 Gusht, NOA – Një aksident i rëndë rrugor ka qenë ai i shkaktuar në orët e para të mëngjesit, ndërsa gdhihej dita e sotme në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, ku është shkaktuar një viktimë si dhe tre të plagosur.

Lajmi bëhet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime policore të qytetit verior, sipas të cilave, ngjarja fatale ka ndodhur rreth orës 03.00 të mëngjesit, pikërisht në vendin e quajtur “Mbi Sukë” në komunën e Velipojës.

Konkretisht, ka qenë mjeti tip Alfa Romeo me targa të huaja BB540YLAN, me drejtues Briken Tarolli, vjeç 24, banues në Tiranë, i cili ka dalë nga rruga krejt papritur.

Mësohet se nga një veprim i tillë, ka gjetur vdekjen vetë drejtuesi i mjetit si dhe është dëmtuar 22-vjeçarja O. Badina, banuese në Tiranë; Ll. Popoviç, 24 vjeç, banues në Shkodër dhe E. Gropcaj, 20-vjeçe, banuese në Bajzë të Malësisë së Madhe.

Tre të dëmtuarit ndodhen në spitalin rajonal të Shkodrës dhe realisht gjenden jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa grupi hetimor po kryen veprimet e duhura në vendngjarje dhe materialet e ngjarjes në fjalë do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së Shkodrës.

n.e/NOA

KOMENTE