Athinë, 4 gusht, NOA – Vullneti politik i Greqisë synon integrimin e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian brenda vitit 2014.
Një fakt të tillë ministri i Jashtëm plotësues i Greqisë, Dimitris P. Droutsas, ia ka komunikuar gjatë një takimi të përbashkët në Athinë, kryediplomatit shqiptar Ilir Meta, në kuadër të një turi të ndërmarrë prej tij në Qipro, Siri dhe Liban.
Dy zyrtarët e lartë, bëhet me dijeni se gjatë takimit, diskutuan mbi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, mbi ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit tonë, si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.
Meta dhe Drutsas, u ndalën në veçanti, në situatën politike në rajon, pas opinionit këshillimor të GJND-së për Kosovën, ku diplomati grek e ka informuar Metën lidhur me vizitën e ditëve të fundit në Prishtinë dhe Beograd, duke theksuar angazhimin e Greqisë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në vijim, ai e siguroi Metën për mbështetjen e palës greke në finalizimin së shpejti të procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, duke i vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet shqiptaro-greke, shprehu bindjen për forcimin dhe intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të ardhmen.
Në vijim, ai evidentoi mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë fqinje, në drejtim të konsolidimit të perspektivës europiane të Shqipërisë, që bazohet në vizionin inkurajues të kryeministrit Papandreu për europianizimin e plotë të rajonit, në kuadër të axhendës 2014.
Meta vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen, gjithashtu, mbi ura të forta lidhëse dhe miqësie, siç janë komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri, që i shërbejnë thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe miqësisë mes dy popujve e vendeve tona.
Ai falënderoi autoritetet greke për plotësimin e kuadrit ligjor në dobi të integrimit të plotë të komunitetit të shtetasve tanë që jetojnë e punojnë në vendin fqinj, duke iu referuar veçanërisht dhënies së shtetësisë brezit të dytë, të lindur dhe arsimuar në Greqi., si dhe të drejtës së tyre për të votuar e për tu votuar në zgjedhjet e pushtetit vendor.
n.e/NOA