Tiranë, 4 Gusht 2010 NOA - Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve në përgjigje të ankesave të konsumatorëve dhe pas dëgjimit të përfaqësuesve të shoqërive përkatëse mori vendime kundrejt subjektit Albanian Airlines”, - deklaroi sot, Besian Pesha, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave Tregtare tek Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Ai evidentoi se Komisioni shqyrtoi dy publicitete të Albanian Airlines të publikuara në websit-in e kësaj kompanie, të cilat nga përmbajtja e tyre përbëjnë praktika çorientuese për konsumatorin, duke mos dhënë mundësinë e një informacioni të saktë dhe të plotë në lidhje me çmimin përfundimtar që konsumatori duhet të paguajë për një udhëtim të caktuar.
“Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve urdhëroi Albanian Airlines të ndalojë menjëherë shkeljen dhe të marrë masat për ndreqjen e praktikave të tilla çorientuese, sipas kërkesave të Ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorëve””, - deklaroi z.Pesha.
“Theksojmë se ky Komision po vazhdon hetimin e websit-eve të kompanive të tjera ajrore në lidhje me publicitete të tilla, të cilat do të jenë objekt i shqyrtimit në mbledhjet e tij të ardhshme”, - vuri në dukje z.Pesha.
Drejtor i Përgjithshëm i Politikave Tregtare tha se “forcimi i ligjit dhe zbatimi i tij, komunikimi me konsumatorin dhe bizneset, lidhja e pandërprerë me shoqatat e konsumatorëve, monitorimi dhe ndërhyrja në treg ndaj praktikave të pandershme apo mashtruese tregtare dhe sensibilizimi i të gjithë opinionit publik në lidhje me të drejtat e konsumatorëve dhe instrumentet mbrojtës ndaj tij kanë qenë, janë dhe do të jenë synimet gjatë këtij mandati”.
Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit, është një instrument i veçantë ligjor dhe që ka tagrin për të marrë vendime dhe vendosur penalitete ndaj subjekteve që operojnë me praktika të pandershme apo jo kundrejt standardeve të shërbimeve ndaj konsumatorit.
r.n/NOA