English

Sekuestrot e pasurive të krimit, Agjencia e Administrimit llogari te Krimet e Rënda

Tiranë, 4 gusht, NOA – Pasuritë e sekuestruara të krimit, të cilat do të konfiskohen nga Agjencia e Administrimit, do t’i raportohen më tej Gjykatës për Krime të Rënda, bashkë me listën e administratorëve të tyre, punonjës të kësaj agjencie.

Ky proces është përcaktuar sot me vendim të posaçëm qeverie, i cili përcakton gjithashtu se kjo agjenci detyrohet me ligj që brenda datës 30 dhjetor të çdo viti, të raportojë mbi procesin e administrimit të të gjitha pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, në zbatim të ligjit të hartuar vjet “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i njohur ndryshe edhe si ligji Antimafia.

Ndër të tjera, duke sqaruar kompetencat dhe funksionimin konkret të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, vendimi i ri i qeverisë përcakton që administratorët e saj të zgjidhen nga gjykata, sipas listës së paraqitur nga kryeadministratori.

“Pagesa e tyre dhe administrimi i pasurive, i caktohet kësaj agjencie me ligj apo me një akt tjetër nënligjor dhe miratohet, rast pas rasti, nga ministri i Financave, pas propozimit të kryeadministratorit. Ndërkaq, pagesa e personave të tjerë, të punësuar në agjenci, përcaktohet nga ministri i Financave, në përputhje me organikën dhe strukturën e miratuar nga kryeministri”, përcakton më tej ky vendim.

Në fund, theksohet fakti se “kontratat e lidhura me administratorët e pasurive dhe personat ndihmës, vijojnë efektet ligjore deri në përfundimin e tyre dhe me përfundimin e afateve, zëvendësohen”.

n.e/NOA

KOMENTE