English

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim për regjistrimin e popullsisë dhe banesave

Tiranë, 4 gusht, NOA – Shqipëria dhe Kosova do të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë platformat për regjistrimin e popullsisë.

Në kontekst të këtij projekti për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave (REPOBA), ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo priti sot në një takim pune delegacionin e ministrisë së Administratës Publike të Kosovës të kryesuar nga zëvendësministri, Naim Fetahu.

Bashkëpunimi mes dy qeverive parashikon shkëmbimin e informacioneve të përgjithshme dhe të hollësishme mbi procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave brenda territorit të Republikës së Shqipërisë; mundësinë e ofrimit të një asistence dhe përvoje nga pala shqiptare gjatë të njëjtit proces, që do të zhvillohet dhe në Kosovë; diskutimin lidhur me problematikën dhe pyetësorin, që do të përdoret gjatë këtij regjistrimi në Shqipëri mbi formën e “vete deklarimit nga të anketuarit”; nxitjen e bashkëpunimit midis dy ministrive përgjegjëse për e-Qeverisjen, nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi në fushën e TIK, si dhe përfshirjen në këtë memorandum të bashkëpunimit, të procesit të regjstrimit të popullsisë dhe banesave.

Takimi u mbështet në këtë frymë bashkëpunimi, pasi edhe Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur për një proces të regjistrimit të popullsisë dhe banesave, i cili do të kryhet gjatë muajit Prill 2011, në të njëjtën kohë me Shqipërinë.

Gjatë takimi ministri Pollo prezantoi këtë proces të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave si dhe mënyrën e krijimit dhe të funksionimit të Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave.

Komisioni Qendror i Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave është ngritur me Vendim të Këshillit të Ministrave.

mit/NOA
KOMENTE