Uashington, 4 gusht - Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs, e hodhi poshtë thirrjen e presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad për të debatuar para mediave me presidentin amerikan Barak Obama anash Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.
Gibs shtoi se administrata Obama gjithmonë ka thënë se "do të jetë e gatshme të ulet dhe të bisedojë për programin e paligjshëm bërthamor të Iranit" nëse Teherani do të ishte serioz. "Ky seriozitet ka munguar", tha Gibs, i cituar sot nga radio Evropa e Lirë. Javën e kaluar presidenti Ahmadinexhad tha se ai është i gatshëm "të ulet ballë për ballë me presidentin Obama dhe t'i diskutojnë çështjet globale...para mediave që të shihet se kush ka zgjidhje më të mira".