English

ALUIZNI: Si plotësohet kërkesa për tapi mbi ndërtimet pa leje në zonat turistike

Tiranë, 5 Gusht, NOA – Që prej datës 10 Gusht 2010, nis procedura e plotësimit të kërkesës, për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësive të ndërtuara, në zonat e stimuluara, me përparësi turizmin.

Ky lajm konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet zyrtare të Agjencisë së Legalizimit të Ndërtimeve pa Leje, duke sqaruar se personat e interesuar mund t’i paraqesin këto kërkesa pranë drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës.

Sipas njoftimit të ALUIZNI-t kanë të drejtë të paraqesin kërkesë:

Subjektet e interesuar - persona fizikë apo juridikë, të cilët gëzojnë njësinë e ndërtuar dhe që kanë kryer një veprim juridik të drejtpërdrejtë ose të rrjedhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar, të ngritur brenda zonës së stimuluar, përpara datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.10186, datë 5.11.2009 “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”.

Personat e stimuluar - persona fizikë apo juridikë, të cilët kanë lidhur marrëveshje qiraje dhe zhvillimi me qiradhënësin (autoritetin shtetëror), për një veprimtari të stimuluar.

Plotësimi i kërkesës shoqërohet dhe nga paraqitja e dokumentacionit që vijon:

Dokumentacioni që paraqitet nga subjekti i interesuar

- Kontrata e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtuar.

- Planimetria dhe sipërfaqja e njësisë së ndërtuar.

- Dokument pronësie për njësinë e ndërtuar (nëse disponojnë).

- Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.

- Dokumentacioni që paraqitet nga personi i stimuluar

- Marrëveshja e qirasë apo zhvillimit.

- Leja e ndërtimit për njësinë e ndërtuar.

- Planimetria dhe sipërfaqja në m² për njësinë e ndërtuar.

- Dokumente pronësie për njësinë e ndërtuar, ( nëse disponojnë).

- Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.

n.e/NOA

KOMENTE