English

Çka ka të re në Kosovastan?!

Kur do të burgosen peshqit e mëdhenj? Filan ministri dyshohet për korrupsion! Qeveria e korruptuar! Opozita hajdute! Shoqëria civile e kriminalizuar! Keqpërdorime në Kishën Ortodokse Serbe! Probleme në BIK-ë! Dëbohet hoxha mashtrues! Keqpërdorime të mjeteve për kulturë dhe sport! Keqpërdoren ndihmat për skamnorët! Gjyqësia e korruptuar! Filan ndërkombëtari diplomat i mori 5 milionë euro ryshfet për një projekt madhor! Kosova vend transit dhe i destinimit për trafikim me qenie njerëzore dhe prostitucion! Askush mbi ligjin! Në vend të grurit më e leverdishme të mbillet cannabis sativa!

Nga Behxhet Sh. Shala

Haga, Beogradi dhe Prishtina, mësimet dhe dështimet:

Isha në pushime në Sarandë ku për 10 vite me radhë, si kontribues i turizmit politiko – folklorik, sipas atyre që kanë hyrë në Europë kur as në fshatin e tyre nuk i llogarisnin për pesë para, po bëjë përpjekje t’i ndihmojë atdheut të të gjithë shqiptarëve e ku duket se ka më së paku shqiptarë, Shqipërisë pra! Disa ish shokë të mi, tash të konvertuar në politikanë dhe të kategorizuar si VIP-a ia mësynë Antalias, Top Kapisë, Kremlinit, Dubait, Palma de Majorkës dhe vendeve tjera ekzotike në Azi, Amerikën jugore, Afrikë ngase gjaku nuk ua duron më plazhet e “pista” të Velipojës, Durrësit, Himarës, Jalës, Borshit, Sarandës dhe Ksamilit! As statusi i ri në shoqëri nuk ua lejon të ndahen nga “grigja” apo elita e mafias ndërkombëtare, ndryshe vëllezërve të tyre sipas zanatit që bëjnë pushime në plazhe ultra të pastra por me para skajshmërisht të pista! Logjikisht, nga aspekti moral nuk ka Det apo Oqean që i shpërlanë këto para të djersës apo gjakut të huaj ! Madje, sa më shumë që mundohen të pastrohen, bëhen më të pistë! Që të jetë paradoksi edhe më i madh, po t’i kishe pyetur disa vite më herët se ku gjinden këto shtete e lëre më këto pushimore ekskluzive do t’i zije shumë ngushtë sepse ide nuk do të kishin për to! Po, duket se politika dhe tenderët ta mësojnë gjeografinë më mirë se çdo arsimtar apo profesor!

Po ç’bëra në fakt në Sarandë?! E vizitova të internuarin Adem Demaçin të cilin unë e quaj Baca Adem, të tjerët Ademi i krisur, burokratët zotni Demaçi ndërsa pseudopatriotët e quajnë baca adem! Baca Adem më siguroi se do të jetojë aq gjatë sa që presidenti i Kosovës të mos të jetë në gjendje ta dekoroi me titullin Hero i Kosovës siç bëri me Tahir Zemajn! Presidenti i binomeve jonormale, patologjike ( Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova) tash, pas dekorimit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Tahir Zemës mund ta dekorojë edhe Bacën Adem dhe ta formojë një trojkë “ patriotike” për t’i qetësuar të gjitha palët dhe për ta ruajtur ekuilibrin politik! T’i fusësh në një thes Adem Demaçin, Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën dhe Tahir Zemën është papërgjeshmëri e skajshme dhe diversion kombëtar! Ky është cilësimi më i butë që mund ta përdor në këtë çast! Presidentit të binomeve i propozoj një zgjidhje praktike dhe normale për kombinimin e binomeve në të ardhmën: 1. binomi i parë që është përjetësisht i qëndrueshëm , i pranueshëm, strategjik dhe i patejkalueshëm është ai midis Adem Demaçit dhe Adem Jasharit dhe binomi 2. që i përgjigjet këtij presidenti dhe falsifikuesve të vlerave kombëtare është ai midis Ibrahim Rugovës dhe Tahir Zemës. Binomi nr.2 është çështje e alkimisë politike!

Para se të nisem për pushim, një miku im Agon Shipnia m’u drejtua me këto fjalë :” Behxhet kosovari, mos u habit nëse Rambon e ndalin kësaj radhe në Tribunalin e Hagës sepse herën e parë pati shpëtuar për një fije floku”. Me t’u realizuar kjo prognozë e mikut tim mendova arsyet pse ndodhi ky zhvillim aq i papritur për Ramushin dhe opinionin kosovar. Nuk e besoj se politika aktuale që është në pozitë në Kosovë mund të akuzohet se është përgjegjëse për rastin Ramush Haradinaj. Mendoj se Mitrovica e Veriut dhe Serbia kanë ndikuar apo e kanë ndihmuar riarrestimin e Ramushit. Ndërkombëtarët janë jashtëzakonisht të ndjeshëm se çfarë fjalori përdoret për integrimin e Veriut dhe fjalori i përdorur nga Ramushi nuk u ka pëlqyer ndonëse, edhe po të ishte në pushtet Ramushi nuk do të bënte asgjë më tepër se që po bëjnë këta që janë në pushtet sot. Pastaj, Beogradi ka insistuar që Ramushi të dënohet dhe përmes informatorëve që i ka rreth e rrotull Kosovës , si të spiunëve profesionistë ashtu edhe të atyre të “pavarur” ( OJQ-ë) ka grumbulluar dhe fabrikuar “fakte” që kanë munguar gjatë gjykimit të parë! Po, ta presim gjykimin por është më se e vërtetë se aktualisht Kosova ka mbetur pa opozitë dhe , në mungesë të saj pozitës i është trashur lëngu prandaj e ka të garantuar edhe një mandat me kusht që Hashim Thaçit të mos i bjerë në ndërkohë “ lija e ujit”! AKR –ë që po përpiqet të bëjë zhurmë kohëve të fundit duket se nuk është e informuar se vuvuzelat po ndalohen në vende publike në Europë!

Llamarina dhe histo(e)ria:

Rasti tjetër që u prit në ankth ishte vendimi i GJND-së. U krijua një mjedis apo mendim që çdo gjë në Kosovë ndërlidhet me GJND-në dhe se, nëse Kosova del GJND –ë pozitiv atëherë çdo gjë do të rregullohet! Edhe në Sallën e Konferencave të Qeverisë së Kosovës u organizua një tifozllëk i përbërë nga zyrtarët institucionalë! E pranoj se vendimi i GJND-së ishte befasues për të gjithë duke e futur këtu edhe vogëlsinë time! Të gjithë kanë pritur një qëndrim më të baraspeshuar apo oportunist , me një fjalë! Analistët e varur dhe shumë të varur dështuan plotësisht me këtë rast. E them se përpos befasisë e kam ndjerë veten mirë pas këtij vendimi, si pjesëtar i një populli euforik dhe historik! Edhe ashtu në atë kohë temperaturat ishin të larta dhe pas vendimit të GJND-së u shkrimë fare! Në lokalet e Sarandës dhe Ksamilit na drejtoheshin me fjalët:” urime kosovarë” dhe për këtë urim na frynin pakëz faturat! Makinat me targa KS na përshëndetnin me dy gishtërinj apo Victory. Doktori i Tropojës doli para ekraneve të medieve të europianizuara duke e cilësuar si datë dhe ditë historike ndonëse në vendin e shqipeve i ka punët llugë! Në Prishtinë festë institucionale në me krye presidentin Sejdiu dhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqin! Kryeministri Thaçi ishte në vendlindjen e Xhorxh Vashingtonit. Të gjithë shkëlqenin duke i atribuar vetes së tyre meritat për fitore të madhe ndaj Serbisë! Retorikë dhe patetikë! Bëheshin llogari se sa shtete do të na pranojnë brenda ditës, javës dhe muajit sepse viti më nuk përmendej! Se për sa muaj do të bëhemi anëtar i OKB-së e të tjera, e të tjera! Harronin se vendimi i GJND-së nuk është obligativ as për shtetet e BE-së e as për të tjerat! Harronin se njohja apo mosnjohja e shteteve mvaret ekskluzivisht nga interesi ekonomik, politik dhe strategjik e jo nga vendimet e gjykatave! Pas valës së euforisë u tokëzuam mirë e mirë. Mirë e kishte publicisti Shvarc që thoshte se vendimi i GJND-së prodhon më shumë efekte psikologjike se politike! Ky vendim na ka mbajtur në disponim të mirë një kohë dhe i ka ndihmuar shumë pozitës për forcimin e pushtetit! Vendimi i GJND-së ka prodhuar efekt pozitiv shumdimensional për koalicionin qeverisës! Pa asnjë dyshim, mendoj se vendimi i GJND-së do të ketë efekte ndërkombëtare, të jashtme mirëpo në planin e brendshëm do të ndikojë që gjendje aktuale në veri dhe enklava të legalizohet si e tillë që është! Gjithashtu, mendoj se as dinamika e as numri i njohjeve të reja nuk do të jenë në përputhje me dëshirat dhe pritjet tona! Megjithatë, po presim!

A ka mafie në Kosovë:

Kur do të burgosen peshqit e mëdhenj? Filan ministri dyshohet për korrupsion! Qeveria e korruptuar! Opozita hajdute! Shoqëria civile e kriminalizuar! Keqpërdorime në Kishën Ortodokse Serbe! Probleme në BIK-ë! Dëbohet hoxha mashtrues! Keqpërdorime të mjeteve për kulturë dhe sport! Keqpërdoren ndihmat për skamnorët! Gjyqësia e korruptuar! Filan ndërkombëtari diplomat i mori 5 milionë euro ryshfet për një projekt madhor! Kosova vend transit dhe i destinimit për trafikim me qenie njerëzore dhe prostitucion! Askush mbi ligjin! Në vend të grurit më e leverdishme të mbillet cannabis sativa! I vazhdohet arresti shtëpiak Nazim Bllacës! Johanes van Vresvijk u emëra kryeprokuror i EULEX-it! U rrah nga fundamentalistët islamikë! Një vizë Shengen në një Ambasadë të huaj shitet për 5000 euro! Pasi vodhi miliona, u emërua ambasador! Këta janë titujt që më së shpeshti hasen në mediet kosovare, varësisht me cilin subjekt politik identifikohen, zënë edhe vendin e merituar! Kështu, krijohet një përshtypje që Kosova e pavarur dhe sovrane është një krijesë mafioze! Larg qoftë të jetë ashtu! Përshtypja ime është se në Kosovë janë tri lloje të mafiozëve; 1. mafia ndërkombëtare,2. mafia urbane dhe 3. mafia rurale. Mafia urbane ka një traditë më të gjatë dhe është më e sofistikuar në përdorimin e dhunës. Mund të llogaritet si mafi paqësore. Kjo mafi e ka prejardhjen prej politikanëve paqësorë dhe një pjese të shoqërisë civile. Tash e ka hapësirën e veprimit më të kufizuar sepse është përzënë nga mafia rurale. Mafia rurale kryesisht ndërlidhet me mafiozët e rinj të dalë pas përfundimit të luftës. Janë më të organizuar dhe më të dhunshëm. U përngjajnë më shumë mafiozëve të rinj rus dhe kinezë përkah intenziteti i dhunës që e përdorin dhe brutalitetit që e demonstrojnë! Janë makievelistë të pashkolluar! Mafiozët ndërkombëtarë kanë traditë. Janë të pajisur me imunitet diplomatik. Ndjehen superiorë ndaj mafiozëve vendorë dhe janë të paskrupulltë. Përcaktojnë taktikat e shpërlarjes së parave dhe çmimin e pasurive që duhet të privatizohen. Tenderët milionësh janë në pronësi të tyre. Organizojnë zgjedhje të” lira “ në Kosovë duke i disejnuar udhëheqësitë e institucioneve. Heqin koka politike dhe përcaktojnë kritere për lirinë e mediave! Në mungesë të karnevaleve organizojnë spektakle për ta argëtuar popullin, si në Romën antike! Mafiozët ndërkombëtarë përballë mafisë urbane dhe rurale në Kosovë e luajnë rolin e auditorit general duke e kontrolluar aktivitetin e tyre, jo për ta penguar e lëre më për ta luftuar por për t’i rritur të hyrat vetanake! Mos kam gabuar diçka?!

Dhëmbët e thyer dhe muskujt e lodhur:

Dikush tha se duhet të dërgohen njësitë speciale të Policisë së Kosovës në Veri të Mitrovicës. Për të vendosur rregull dhe ligjshmëri, më duket! Pasi këtë punë e kanë përfunduar me sukses në pjesët tjera të Kosovës! Madje, për shkak të mosbindjes qenka vendosur që komandanti i stacionit policor në Veri të Kosovës, z. Milija Millosheviq të zhvendoset nga aty dhe të caktohet në detyrë të re në Prishtinë. Si zëvendës, mbase i Behar Selimit apo ministrit Bajram Rexhepi ! Sipas rregullores në fuqi, komandanti Milija Millosheviq duhet të caktohet në një vend pune që është larg së paku 40 kilometra nga vendi paraprak i punës. Nuk e di sa është larg Kraleva nga Mitrovica sepse atje komandanti Millosheviq do të ndjehej më i relaksuar! Do t’i kthehej bazës! Atyre që u ka shërbyer dhe që u shërben ende!

Biografitë konstruktive dhe qasjet destruktive:

I lexova me pasion të veçantë romanet autobiografike të Orhan Pamukut dhe Amos Ozit. Njëri turk e tjetri çifutë! Njëri nobelist tjetri nobelist i mundshëm! Përmes këtyre autobiografive personale, familjare, kombëtare, politike, shtetërore në fakt e bëra një shetitje nëpër Stamboll dhe Turqi si dhe në Izrael! Nëpër historinë e tyre, traditën, kulturën, letërsinë. vuajtjet, krenarinë, dështimet, sukseset etj. Ishin protagonistë objektiv, realistë, me të mirat dhe të këqijat që i kishin. Prandaj i jepnin shpirt dhe jetëgjatësi romaneve të tyre duke i shndërruar në kronikë autentike! Lexova gjithashtu romanet e shkëlqyera të Rexhep Qosjes “ Bijt e askujt”. Çdo gjë ishte në rregull dhe mund të llogaritej se një autobiografi për një periudhë të caktuar. E kishte një të metë të vogël! Mungonte Rexhep Qosja!

Pushimi dhe kërcënimi:

Pasi u ktheva nga pushimi , si e do rendi u takova me disa miq! Dikush më tha se i kanë munguar shkrimet e mia ndërsa disa më ofruan angazhim politik! Që të dyja i mora me rezervë! Më i sinqerti ishte njëri që m’u kërcënua hapur se kam shkruar kundër tij! Madje më pyeti nëse këtë e bëjë vet apo prapa meje qëndron dikush tjetër! I thashë se për një shkrim kundër tij i marr prej 100.000 deri në 200.000 euro duke ditur se ka shumë para dhe se ndoshta do të më bëjë ndonjë ofertë më të fortë! Që të mos shkruaj apo të shkruaj mirë për të! Këtu u binda se morali dhe paraja, rrallë herë shkojnë bashkë! Ata që kanë para dhe që i fitojnë si i fitojnë , janë të bindur se çdo gjë mund ta blejnë me para, frikën e tyre dhe trimërinë e tjetrit! Imoralitetin e tyre dhe moralin e tjetrit! Prandaj, duke llogaritur se frika është diçka njerëzore dhe hyjnore kam vendosur të mos shkruaj më…….deri në rastin e parë!

(*) Dërguar nga autori, drejtor ekzekutiv j KMDLNj-ut. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale

KOMENTE