Durrës, 5 gusht, NOA – Kundërshtimi me dhunë i patrullës së policisë i ka kushtuar prangosjen një të riu në Durrës.
Korrepsondenti i NOA-s, thotë se personi i arrestuar në flagrancë është një student nga Durrësi, i padënuar më parë, 24 vjeçari Asllan Kërtusha.
Sipas policisë së qytetit bregdetar, arrestimi i Kërtushës u realizua mbrëmë pak para mesnatës, në orën 23.50.
Sipas informacioneve zyrtare studenti Asllan Kërtusha mbrëmë rreth orës 19.30 ka qenë në gjendje të pirë në lokalin e një shtetasi tjetër, R.D., që ndodhet në lagjen nr.1 në Durrës.
Studenti Asllan Kërtusha i dehur siç ishte po thyente gota, shish dhe karrige në lokal, duke prishur qetësinë publike.
Gjatë shoqërimit të tij nga efektivat e policisë ai ka kundërshtuar me dhunë edhe ndaj oficerëve të patrullës, që kishin mbërritur në vendngjarje për të verifikuar ç’po ndodhte.
I arrestuari tashmë po ndiqet penalisht nga prokuroria e Durrësit, për kundërshtim të punonjësit të policisë.
mit/NOA