English

Fëmijët e helmuar në Voskopojë dalin nga spitali, pas 3 ditësh analizat e ushqimit

Korçë, 5 Gusht, NOA – Fëmijët nga Elbasani, të cilët u helmuan dje gjatë një pikniku në Voskopojë, sot rezultojnë të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe e tashmë e kanë lënë që të gjithë spitalin.

Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet e policisë së Korçës, sipas të cilave, tashmë prokuroria ka nisur hetimet rreth ushqimeve që ata kanë konsumuar gjatë drekës në Voskopojë, ndërsa priten rezultatet e analizave të Institutit të Shëndetit Publik në Korçë.

Janë pikërisht këto të fundit që do të vërtetojnë tamam nëse helmimi i fëmijëve elbasanas erdhi nga ushqimi i konsumuar në restorantin “Akademia” në Voskopojë, apo ka qenë ndonjë shkak tjetër.

E kjo pasi, një pjesë e fëmijëve, rrugës kanë konsumuar edhe ushqimet që kishin marrë me vete nga shtëpia dhe ky, mendohet se mund të jetë njëri prej shkaqeve që kanë çuar në helmimin e disa prej tyre.

Ndërkaq, policia ka marrë në pyetje personelin e restorantit “Akademia”, ku kishin drekuar fëmijët, të cilët nuk kanë pranuar se fëmijët mund të jenë helmuar nga ushqimi që u kishin ofruar ata.

n.e/NOA

KOMENTE