Prishtinë, 5 gusht, NOA – Policia e Kosovës ka vënë në pranga një 25 vjeçar i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Burime zyrtare pranë kësaj policie, thanë për agjencinë NOA se mbrëmë rreth orës 21:30, policia është informuar se në lagjen e Bregut të diellit, ndodhej një person, me iniciale V. Sh. i dyshuar si trafikues i lëndëve narkotike.
Pas mbërritjes në vendin ku ndodhej 25 vjeçari, policia ka bërë identifikimin e tij, dhe e ka ndaluar atë.
Sipas burimeve zyrtare të dyshuarit iu gjetën në xhepin e pantallonave dy qese me bar në ngjyrë e gjelbër, substancë kjo e dyshuar si mariuanë.
Më pas policia ka marrë autorizimin për të kontrolluar në shtëpinë e të arrestuarit, ku pas kontrolli policia gjeti një qese të madhe najlonit me bar në ngjyrë të gjelbër, pesha e të cilës ishte rreth 100 gram.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 25 vjeçarit, policia ka gjetur edhe nje revole të tipit Grizlly, 6.35 mm, një karikator të zbrazur dhe një kuti me 11 fishekë të po të njëjtës revole, një fishek 7.62 mm i revoles TT, një fishek 7.62 mm i AK-47.
Me urdhër të prokurorit të çështjes personi i dyshuar me iniciale V. Sh. është ndaluar për 48 orë, ndërkohë që janë përgatitur të gjitha procedurat dhe kallximi penal ndaj tij, për trafikim të lëndëve narkotike.
mit/NOA