Nju Jork, 5 gusht, NOA – Rezoluta për Kosovën e paraqitur në Këshillin e Sigurimit nga Serbia do të diskutohet në seancën e 14 shtatorit.
Këtë vendim ka marrë Asambleja e përgjithshme e kombeve të Bashkuara lidhur me këtë rezolutë të Serbisë, e formuluar pikërisht pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së, me qëllim që ta zhvlerësojë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë të njëanshme nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare.
Këtë vendim të asamblesë, që erdhi pikërisht pas debateve në këshillin e Sigurimit, dy ditë më parë, e ka deklaruar për një gazetë serbe, zëdhënësi i presidentit të Asamblesë, Jean Victor Nkolo.
Lidhur me faktin se do të shpallet edhe një tjetër rezolutë këtë herë nga BE në mbledhjen e 14 shtatorit, Nkolo është shprehur se “Nëse ndodh të paraqiten dy projektrezoluta për të njëjtën çështje, kjo do të thotë se miratimi i të parës është njëherësh refuzim i të dytës, por gjithçka varet nga parashtruesi”.
Nkolo sqaroi në këtë kontekst se “në votim respektohet koha e paraqitjes së projektrezolutës, dhe kjo do të thotë se ajo që është paraqitur e para, do të votohet e para”.
Por, sipas diplomatit nga Kameruni, janë parashtruesit e çështjes ata që mund të vendosin tërheqjen e propozimit apo të kërkojnë rivotim të tij.
“Teksti i propozimit mund të pësojë edhe ndryshime, shpjegoi Nkolo, por me këto ndryshime dhe plotësime të projektit duhet të pajtohet edhe parashtruesi.
Zëdhënësi i presidentit të Asamblesë së OKB-së, theksoi se “nëse ndodh kështu në rend të ditës vihet versioni i plotësuar i tekstit. Por nëse parashtruesit nuk pajtohen me amendamentet e propozuara, mund të votohet edhe për këto ndryshime, para se të votohet dokumenti i parë origjinal”.
Në mbledhjen e fundit të këshillit të Sigurimit të kërkuar nga kryesuesja e radhës, Rusia, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, formalisht i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të miratojë një rezolutë të re, e cila do të pasqyrojë realitetin e krijuar me pavarësinë e Kosovës.
Duke iu referuar realitetit të ri të shtetit të Kosovës, Hyseni në këtë mbledhje u kërkoi të 15 anëtarëve të KS-së, që të zëvendësojnë rezolutën 12 44, e përpiluar për Kosovën qysh në vitin 1999.
mit/NOA