Shkup, 5 Gusht, NOA – Rreth tetë deputetë të parlamentit të Maqedonisë gjenden nën hetim dhe shqyrtim e sipër, lidhur me faktin se ndaj tyre ka pista dyshimi për bashkëpunimin e tyre me shërbimet sekrete.
Konkretisht, komisioni për hapjen e dosjeve në Shkup po punon rreth 10 dosje të dyshimta, në mesin e të cilëve janë tetë deputetë të Parlamentit, për të cilët do të verifikohet deri në fund se a kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.
Komisioni nuk ka zbardhur emrat e tyre, mirëpo në rast se verifikohet detyra e tyre si ish-spiunë, atëherë emrat e tyre do të bëhen të njohura vetëm atëherë kur do të tërhiqen nga detyra apo do të shkarkohen nga Parlamenti.
“Ka indikacione për disa personalitete dhe funksionarë, ka dosje të tilla dhe ende punojmë me to. Derisa Komisioni nuk gjen fakte dhe dëshmi relevante, ne nuk mund të themi se dikush ka qenë bashkëpunëtor. Për momentin ne këtë nuk e kemi. Nëse do të zbulojmë, atëherë do të veprojmë në bazë të ligjit”, ka theksuar kryetari i komisionit, Janaqie Vitanovski.
Gjatë gjashtë muajve të kaluar, Komisioni për hapjen e dosjeve ka verifikuar deklaratat e 324 funksionarëve të lartë shtetërorë.
NOA-INA