Londër, 5 gusht, NOA - Zv/shefi i misionit britanik në OKB, ambasadori Philip Parham, i tha BBC-së se bisedimet për statusin e Kosovës dhe kufijtë aktualë të saj kanë përfunduar.
Ai tha se ky është qëndrim i Britanisë së Madhe dhe i shumicës së vendeve anëtare të BE-së dhe shtoi se pas vendimit të GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është hapur një fazë e re në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe me BE-në.
Ambasadori Parham tha se qeveria e vendit të tij angazhohet për një dialog mes Prishtinës e Beogradit që do të ndihmojë në përmirësimin praktik të gjendjes përmes bashkëpunimit mes dy shteteve për çështje praktike.
Në intervistën dhënë BBC-së, ambasadori Parham tha se ishte i zhgënjyer me rezolutën serbe të paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, meqë 'nuk u bënë konsultime paraparake me BE-në'.
Ai shfaqi shpresën për arritjen e një pajtimi për një rezolute të përbashkët që 'do të respektojë mendimin e GJND-së për Kosovën'.
Zoti ambasador, mbledhja e fundit e KS të OKB-së sërish ka vënë në pah dallimet e thella në mesin e vetë anëtarëve të tij për çështjen e Kosovës. A ia vlen të vazhdohet me mbledhje të tilla, marrë parasysh këto lloj ndarjesh brenda KS të OKB-së?
Është fakt, sikur e thoni, se ka dallime në pikëpamje në mesin e anëtarëve të KS të OKB-së. Gjithashtu, është fakt se Rezoluta 1244 e KS të OKB-së vazhdon të jetë në fuqi, dhe se për këtë vazhdon edhe angazhimi i Këshillit të Sigurimit. Prandaj është e domosdoshme për Këshillin e Sigurimit që të takohet kohë pas kohe dhe të dëgjojë raportet e PPSP-së, zotit Zannier, për punën e UNMIK-ut. Sikundër e dini, është praktikë e Këshillit të Sigurimit që kur të kemi debate ose takime të tilla të ftojmë edhe palët që të marrin pjesë.
Ju përmendët Rezolutën 1244. Ministri i jashtëm i Kosovës i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që kjo rezolutë të zëvendësohet. A besoni se ka ardhur koha që të ndryshojë Rezoluta 1244?
Realiteti politik, natyrisht, është i tillë që kjo ka pak gjasa që të ndodhë së shpejti, sepse do të nevojitet një vendim i Këshillit të Sigurimit për ta bërë këtë. Për këtë do të duhej një nivel i pajtimit në Këshillin e Sigurimit, që tani për tani nuk ekziston.
Autoritetet serbe kanë vazhduar qëndrimin e tyre për Kosovën dhe kanë paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së edhe një projekt-rezolutë. Çfarë mund të sjellë ajo për Kosovën?
Ne, natyrisht, se kemi shpresuar dhe vazhdojmë të shpresojmë, se mendimi këshillë-dhënës i GJND-së do të shënonte një fazë të re për këtë çështje dhe një fazë të re të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kemi frikë se projektrezoluta që është dorëzuar nga Serbia, nuk do të ndihmojë zhvillimet e kësaj faze të re, por do të vazhdojë të përqendrohet në çështjet ndarëse. Ne ende shpresojmë se do të jetë e mundur që të arrihet një marrëveshje për një rrugë tjetër për të ecur përpara me Serbinë, për të cilën do të kishte konsensus. Ne ishim të zhgënjyer dhe këtë e thashë edhe në deklaratën time në KS të OKB-së se Serbia e ka paraqitur këtë projektrezolutë në Asamblenë e Përgjithshme pa u konsultuar, në veçanti me BE-në, për të provuar që të pajtohet për një rrugë të përbashkët për të ecur përpara. Por, siç e thashë, kjo ende mund të jetë e mundur.
Pra, ju shpresoni se mund të uleni sërish me Serbinë dhe të hartoni një tjetër rezolutë për Kosovën?
Po, dhe ne shpresojmë se Serbia do të pajtohet që në vend që ta shtyjë përpara projektrezolutën e hartuar, që është dorëzuar tashmë, të përkrahë një rezolutë rreth së cilës do të kishte një konsensus evropian dhe më të gjërë, pra një rezolutë që do të ndihmonte në fillimin e një faze të re në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Pra, një rezolutë që do të merrte parasysh edhe vendimin e GJND-së?
Mendimi këshillë-dhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë tani është fakt. Asaj i është bërë pyetja nga Asambleja e Përgjithshme dhe ajo i është përgjigjur pyetjes duke thënë se shpallja e pavarësisë dy vjet e gjysmë më parë nuk e ka shkelur ligjin e përgjithshëm ndërkombëtar, nuk e ka shkelur Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, si dhe nuk e ka shkelur Kornizën Kushtetuese të Kosovës, të miratuar nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm. Prandaj, ky ishte një mendim i qartë në pyetjen e shtruar nga Asambleja e Përgjithshme. Çdo rezolutë, natyrisht, duhet të marrë parasysh se ky mendim është marrë.
Por meqë e shohim se Serbia nuk është shumë e kënaqur me vendimin e Gjykatës, çfarë do të thotë kjo tani për Serbinë?
Mendimi i GJND-së u publikua më 22 korrik dhe mendoj se është e qartë se nuk ishte përgjigjia që Serbia e priste ose shpresonte të merrte. E kuptojmë se do të duhet pak kohë që Serbia ta pranojë atë. Ajo që ne shpresojmë, është se, duke reflektuar, Serbia do ta shohë se kjo tani nënkupton se nuk mund të ketë më mosmarrëveshje për statusin e Kosovës dhe se tani duhet të ketë një fazë të re në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe, gjithashtu, një fazë të re në marrëdhëniet me BE-në, me qëllim që të dyja shtetet të shikojnë nga e ardhmja brenda BE-së.
Pati thirrje nga anëtarët e KS të OKB-së për dialog mes të dyja palëve. Çfarë, më saktësisht, u mendua me këtë dialog?
Kjo varet krejtësisht nga ajo se kush ka bërë thirrje dhe çfarë qëllimesh ka patur. Sikundër e dini, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, ka lëshuar një deklaratë më 22 korrik, pasi u publikua mendimi këshillëdhënës i GJND-së. Ajo ishte një deklaratë, më duhet të theksoj, që kishte mbështetjen e të 27 vendeve anëtare të BE-së. Në këtë deklaratë thuhet se BE-ja është e gatshme që të lehtësojë procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe ky dialog do të zhvillohet për të promovuar bashkëpunimin dhe përparimin e arritur në rrugën drejt Evropës dhe të përmirësojë jetën e qytetarëve, dhe se dialogu vetvetiu do të ishte një faktor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Ajo për të cilën fliste zonja Ashton, në emër të BE-së dhe të 27 vendeve anëtare të saj, është ajo që edhe Britania e Madhe po flet kur përmend një fazë të re të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të thotë dialog që ka për qëllim që të ketë përmirësim praktik përmes bashkëpunimit praktik ndërmjet dy shteteve që, në një mënyrë, ndihmon qytetarët e të dyja shteteve.
Ju ishit shumë i qartë në fjalimin tuaj, thatë se nuk ka kthim në negociata as për statusin e Kosovës dhe as për kufijtë e saj aktualë.
E saktë. Po.
Dhe ky është qëndrim i përgjithshëm i Mbretërisë së Bashkuar se nuk ka më bisedime për statusin e Kosovës?
Kjo është e saktë dhe, gjithashtu, është qëndrim i shumicës së anëtarëve të BE-së.
BBC