English

Topi, Berisha, Meta në skuadër për Kosovën, së bashku në shtator para OKB

Tiranë, 5 Gusht, NOA / Eglantina Nasi - Presidenti i Republikës Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, do të marrin pjesë së bashku në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në fillim të muajit shtator.

Lajmi konfirmohet nga burime të ministrisë së Jashtme për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, delegacioni i lartë shqiptar në OKB përveç axhendës që ka të bëjë me punimet e sesionit të radhës së Kombeve te Bashkuara dhe prezantimin e qëndrimit të Shqipërisë për zhvillimet në rajon dhe më gjerë, një rëndësi të veçantë do t’i kushtojë dhe çështjes së Kosovës.

Burimet thanë më tej, se përfaqësuesit e lartë të shtetit do të kenë një axhendë të ngjeshur me takime, ku theksi do të jetë çështja e pavarësisë së Kosovës, për të cilën ata që të tre do të lobojnë në grup me njëri-tjetrin.

Ndërkaq, bëhet me dijeni në mënyrë konfidenciale se gjatë punimeve të Asamblesë së OKB-së, delegacioni shqiptar do të mbajë dy fjalime.

Mësohet se i pari do të flasë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ndërsa më pas do të jetë kryeministri Sali Berisha, ai që do të marrë fjalën në organizmin e lartë të Kombeve të Bashkuara.

Intensifikimi i përpjekjeve të palës shqiptare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara vjen edhe pas kërkesës që ka bërë Serbia në lidhje me pavarësinë e Kosovës, si edhe mundësive për paraqitjen e një rezolute të re.

Nga ana e saj, pala shqiptare e ka cilësuar të papranueshme mundësinë e një rezolute të re nga pala serbe lidhur me çështjen e statusit të Kosovës.

Ndërkaq, thuhet se takimet e përfaqësuesve të lartë të shtetit shqiptar në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të zhvillohen si me zyrtarët e vendeve që e kanë njohur Kosovën, edhe me ata të cilët ende nuk e kanë njohur atë.

Qëllimi i këtij aksioni diplomatik në skuadër, është që të mundësohet rritja e numrit të vendeve që e njohin Kosovën shtet të pavarur.

Por nga ana tjetër, edhe apeli ndaj vendeve që janë në dilemë për të mos bërë hapa mbrapa në lidhje me pavarësinë.

Ndërkaq, mendimi këshillë-dhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, është njëra prej pikave më të forta ku diplomacia shqiptare tashmë mbështet qëndrimin e saj që duhet të mbahet ndaj Kosovës.

n.e/NOA

KOMENTE