Durrës, 5 gusht, NOA Update - Polumbarët e ministrisë së Brendshme kanë mundur të nxjerrin nga deti, trupin e pajetë të një 45-vjeçari i cili u mbyt paraditen e sotme në plazhin e Gjirit të Lalëzit.
Lajmi bëhet me dijeni nga burimet policore të Durrësit për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, trupi pa jetë i përket 45-vjeçarit Kadri Hyseni nga Petrela, i cili ka qenë sot duke pushuar në gjirin e Lalëzit, bashkë me familjen në bregdetin e Adriatikut.
Ndërkaq, grupi hetimor bën me dije se i mbyturi gjatë momentit fatal, ka qenë duke u larë në det dhe pushuesit që kanë qenë rreth tij e kanë parë që ai po përpiqej të shpëtonte nga dallgët, por nuk kanë mundur ta shpëtojnë dot megjithë ndërhyrjen.
E në këtë mënyrë, ka përfunduar me tragjedi pushimi familjar në plazh, ndërsa prania e rojeve bregdetare për parandalimin e rasteve të tilla po shfaqet gjithmonë e më tepër si një detyrim nga ana e autoriteteve.
n.e/NOA