English

Adem Demaçi viziton shkrimtarin Sulejman Krasniqi

Prishtinë, 6 Gusht, NOA /Bardhyl Selimi - Ditët e para të gushtit, u ndodha në shoqërinë e miqve të mij shkrimtarë kosovarë,

Adem Demaçi, Agim Gjakova e Gani Ratkoceri. Në bisedë e sipër, ra fjala edhe për

shkrimtarin e njohur Sulejman Krasniqi. Ademi shprehu dëshirën ta takonte atë, aq

më tepër se kohët e fundit, Sulejmani nuk ka qenë mirë me shëndet.

Para Vitit të Ri, i

pata telefonuar duke i treguar se pseudoshkencëtari Kapllan Resuli e kishte

përmendur edhe Sulejmanin duke e stigmatizuar për qëndrimin e tij atdhetar.

Ashtu, me zë të mekur dhe i dobët fizikisht ai m’u përgjigj pak a shumë “Bardhyl, mos u merr me ata që i kemi hequr tashmë nga lista e shqiptarëve”.

Sulejmanin e njoh që 40 vjet

“Është shkrimtar që ka shkruar kryesisht për Kosovën”- tha Ademi. -Po- miratova

unë, duke kujtuar romanet “Qielli i përflakur” (1974), “Prijësja e komitëve”(1975),

“Mic Sokoli” (1979), “Besëlidhja shqiptare” (1980), “Pushka top, Bajram Curri”

(1982), “Dardanët’ (1985), “Rrëfimet e majorit” (1993), “Rapsodia e kosovares”

(199) e shumë të tjerë me temë historike.

Lindur në vitin 1937 në fshatin Hocë e Vogël të komunës së Rahovecit, Sulejmani u

shkollua dhe u rrit me ndjenja patriotike dhe dëshirën e madhe për bashkimin e

Kosovës me Shqipërinë. Për këto mendime, në Kosovë atë e burgosën. Në vitin 1958

u arratis për në Shqipëri ku e pritën kampet e punës në jug ku përfundonin shumica e

kosovarëve të ardhur në “atdheun mëmë”. I mësuar me punë të rëndë të vreshtarit, i

riu kosovar u qëndroi provave dhe arriti të regjistrohet student dhe të kryejë studimet

për gjuhë e letërsi shqipe, ndonëse i ofruan fillimisht të bëhej mësues fizkulture.

Talenti i tij letrar shpërtheu shumë shpejt dhe në vitin 1982 doli si shkrimtar në

profesion të lirë.

Siç tregon vetë, zoti Krasniqi zgjodhi të trajtojë temën historike pasi e kuptoi që

vetëm kështu ai mund të mbrohej nga censura e rrepte komuniste, aq më tepër që në

pasaportë i kishin shënuar si vendlindje “Jugosllavinë” aq të urryer nga shqiptarët e

atjeshëm. Ka fituar “Çmimin e Republikës”, është dekoruar me “Urdhërin e Punës”.

Unë u tregova i gatshëm ta shoqëroja Ademin në vizitën që do i bënte shkrimtarit të

shquar. Duke kërkuar banesën e tij në rrugën “Kongresi I Lushnjës”, ku janë bërë

shumë ndërtime, ndeshëm një burrë nga Shtyllasi i Fierit ku Sulejmani ka qenë i

internuar fillimisht. Ai ruante kujtimet më të mira për të, ndonëse s’e kish takuar dot

prej dhjetëra vitesh. Në shtëpi na pritën e shoqja, burrneshë nga Drenica dhe fëmijët,

Derandi, Albana e dy mbesat. Sulejmani qendronte i shtrirë, por sapo na pa, u ngrit

ndenjur dhe donte të na bënte muhabet. Ademi, i përmalluar, e përqafoi dhe i tha:

“Edhe ju keni ndihmuar me veprat tuja në pavarësimin e Kosovës!”.

Ndonëse në këtë gjendje të rëndë shëndetësore, Sulejmani- na thosh Mira, e shoqja, -

herë pas here kërkon t’ia afrojmë Laptopin sepse shkruan ende. Si fakt, ishte edhe

libri i tij, botuar këtë vit, “Rebeli i bajraqeve” sërish me temë nga historia jonë e

fillim-shekullit XX.

b.s/NOA

KOMENTE