Beograd, 6 Gusht, NOA – Ashtu si edhe para pak ditësh, lideri i Lëvizjes për Rimëkëmbjen e Serbisë, Vuk Drashkoviç, ka dalë në mbrojtje të Kosovës dhe i ka bërë thirrje Serbisë që ta pranojë realitetin dhe ta ndryshojë strategjinë ndaj saj.
“Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe ta ndryshojë strategjinë ndaj Kosovës. Tani synimi duhet të jetë mbrojtja e serbëve dhe e trashëgimisë fetare në Kosovë, me garanci ndërkombëtare”, ka thënë konkretisht Vuk Drashkoviç.
Sipas tij, Beogradi duhet të respektojë realitetin në Kosovë, realitetin e botës në të cilën jetojmë dhe strategjinë shtetërore t'ia përshtasë synimeve reale.
Në mënyrë fare të hapur, ai ka thënë fjalët se “Serbia nuk ka kurrfarë sovraniteti shtetëror mbi Kosovën dhe se e gjithë Serbia e di se Kosova realisht nuk është krahinë në kuadër të Serbisë”.
“Ajo është jashtë çdo kontrolli të pushtetit dhe shtetit të Serbisë”, tha Drashkoviç.
Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovs, përfaqësuesi i njohur serb deklaroi se “rezoluta e Serbisë, e paraqitur në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duhet t'u bënte thirrje autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë, që me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara të zhvillojnë një dialog konstruktiv për bashkëpunim reciprok dhe për mbrojtjen thelbësore të popullit serb në Kosovë”.
Drashkoviç ka këmbëngulur se vetëm mbi këtë përmbajtje, rezoluta serbe do të mbështetej nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Rusia dhe të gjitha anëtaret e Këshillit të Sigurimit.
n.e/NOA