Fier, 6 gusht, NOA – Tre persona bien në prangat e policisë së Fierit, pasi iu gjetën 14.80 gramë bimë narkotike Cannabis Sattiva.
Burime zyrtare nga policia e qarkut, i thanë korrespondentit të agjencisë NOA se arrestimi në flagrancë i tre personave u realizua mbrëmë në orën 20.00.
Tre personat e arrestuar janë 20 vjeçari Egli Nikollaq Poçi; 30 vjeçari Klodian Kujtim Yzeiri dhe 19 vjeçari Aurel Kozma Shanka, që të tre banues në fshatin Fermë Çlirim të rrethit të Fierit.
Sipas burimeve të lartpërmendura arrestimi i tre shtetasve u bë në bazë të informacioneve të mbledhura në rrugë operative, nga seksioni kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Fierit.
Tre të arrestuarit dyshoheshin se mbanin lëndë narkotike, dhe konkretisht sipas burimeve zyrtare, në 5 gusht, pra dje, në fshatin Fermë Çlirim, nga kontrolli i ushtuar të tre personat janë kapur në flagrancë me një sasi lënde të dyshuar si lëndë narkotike e llojit Cannabis Sattiva, me peshë prej 14.80 gram.
Bashkë me Cannabis Sattivën policia sekuestroi si provë penale edhe një aparat telefoni celular.
Tre të arrestuarit akuzohen dhe po ndiqen penalisht nga prokuroria e Fierit për prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në bashkëpunim.
mit/NOA