Londër, 6 gusht, NOA - Ish-kreu i fondacionit bamirës “Fëmijët e Nelson Mandelës”, Xheremi Radklif, ka pranuar se ka marrë nga modelja Naomi Campbell, qesen e vogël të diamanteve, që ajo kishte marrë si dhuratë nga dy të panjohur në Siera Leone, në vitin 1997.
Vetë modelja e dëshmoi këtë të enjten para Gjykatës së Hagës.
Fillimisht fondacioni bamirës mohoi se kishte në posedim diamantet, por pak orë më vonë ish-drejtuesi i saj, Xheremi Radklif deklaroi se ia kishte dorëzuar ato policisë.
Gjykata Speciale e Siera Leones bëri publik faktin se më 1 korrik, Naomi ishte thirrur për të dhënë shpjegime lidhur me deklaratat e dy mikeshave të saj Karol Uait dhe Mia Faru, sipas të cilave në vitin 1997, Çarls Teilor i dhuroi Naomit një diamant pas darkës së organizuar nga Nelson Mandela, në Afrikën e Jugut.
Dëshmia e modeles shihet nga kjo gjykatë si një element kyç në akuzën kundër ish -presidentit të Liberisë, Çarls Teilor, i cili dyshohet se shiste diamantë dhe blinte armë, me të cilat furnizonte rebelët e Frontit të Bashkuar Revolucionar (RUF), në Siera Leone.
mit/NOA