Shkodër, 6 Gusht, NOA – Forcat e policisë së Shkodrës finalizuan sot me sukses operacionin policor të koduar me emrin “Gurra e Planit”, i cili rezultoi me kapjen në flagrancë të një të shumëkërkuari për vrasje.
Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se i ndaluari është Lekë Thani, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Plan të Shkodrës, arrestimi i të cilit është bërë për arsye se ai dyshohet që në datën 4 maj të 7 viteve më parë,në lagjen “Partizani” të Shkodrës, ka vrare me armë zjarri një 30-vjeçare me emrin Dila Kuvendi.
Ndërsa në vitin 2006, gjykata e qytetit verior e ka dënuar për këtë akt me 15 vite heqje lirie për veprën penale të “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Gjithashtu, nga hetimet e kryera, rezulton se ky person është autori i kultivimit të disa parcelave me bimë narkotike “canabis sativa”, në fshatin Plan të komunës Pult, bimë këto të asgjesuara ditët e fundit nga forcat e policisë.
Madje për këtë akt, ai ka kërcënuar edhe forcat e policisë.
Konkretisht, raportohet se kapja e të shumëkërkuarit Lekë Thani, u bë e mundur rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij, si rezultat i informacioneve në rrugë operative që ishin marrë për vendodhjen e tij.
Nga ana e policisë, po kryhen te gjitha veprimet e duhura proceduriale dhe materialet në ngarkim të Lekë Thanit, do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së Shkodrës për veprat penale të “Vrasjes së kryer me dashje”, “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake“, “Kultivimit të bimëve narkotike” si dhe “Kanosjes për shkak të detyrës”.
n.e/NOA