Mitrovicë, 6 gusht, NOA – Në kuadër të aksionit që ka ndërmarrë policia e Kosovës për parandalimin e të shtënave me armë zjarri janë konfiskuar rreth 15 armë pushkë automatike dhe armë të llojeve të tjera.
Burime zyrtare nga policia e Kosovës, thanë për agjencinë NOA se janë konfiskuar katër pushkë automatike AK-47; një pushkë gjysmë automatike M-70/69 kalibri 7.62 mm; pesë pistoleta të llojit dhe kalibrit të ndryshëm si dhe katër pushkë gjuetie të kalibrave të ndryshëm.
Këto armë mësohet se janë konfiskuar dje, gjatë implementimit të këtij plani operativ në rajonin e Mitrovicës.
Po gjatë ditës së djeshme policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe municione të ndryshme edhe në qytetitn Skënderaj.
Sipas burimeve zyrtare numri i përgjithshëm i armëve dhe municionit të konfiskuar duke përfshirë edhe operacionin e bastisjes në Skënderaj, përmbledh katërmbëdhjetë armë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, gjashtë karikatorë dhe 335 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Policia konfirmoi se ky operacion për konfiskimin e armëve për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë e jetës në Kosovë do të vijojë edhe në të ardhmen.
mit/NOA