English

Pentagoni kërkon 15 mijë dokumente sekrete

Uashington, 7 gusht NOA - Pentagoni i ka kërkuar faqes së Wikileaks për t’i dorëzuar autoriteteve ushtarake 15 mijë dokumente sekrete që lidhen me luftën në Afganistan, të cilat faqja i ka në posedim dhe ende nuk i ka publikuar.

“I kërkojmë të bëjnë gjënë e duhur”, - tha zëdhënësi i Pentagonit Geoff Morrell. “Shpresojmë që të përmbushin kërkesat tona”, - shtoi ai.

Shpërndarja e dokumenteve të tilla sipas Pentagonit vë në rrezik njerëzit dhe operacionet që do të ndërmerren. Morrell ka pohuar se në shumë dokumente janë të përfshira, emrat e informatorëve afgan. Sa më gjatë që dokumentet qëndrojnë publike, aq më shumë rritet rreziku për hakmarrje, ndërsa tërheqja e tyre nga faqja do të zvogëlonte mundësinë e dhënies së informacionit për këdo.

Morrell gjithashtu raportoi se aktualisht janë rreth 80 ekspertë të shërbimit të fshehtë që po punojnë me ekzaminimin e mijëra dokumenteve të publikuara deri më tani, për të njoftuar qytetarët afgan dhe qeveritë e huaja për ndonjë rrezik të mundshëm ndaj tyre.

Ndërkohë mbetet i izoluar në një burg ushtarak, ushtari amerikan Bradley Manning, i akuzuar si informatori i Wikileaks në lidhje me dorëzimin e dosjeve të fshehta. Sipas CNN, duke cituar burime të Pentagonit, Manning vuan nga depresioni.

r.b/NOA

KOMENTE