Prishtinë, 6 gusht, NOA – Tribunali Ndërkombëtar i Drejtësisë Penale në Hagë, për ish-Jugosllavinë, i ka dhuruar sot Bibliotekës së Fakultetit të Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Prishtinës, një koleksion të konsiderueshëm revistash juridike mbi të drejtën ndërkombëtare.
Burime zyrtare nga Universiteti i Prishtinës, thanë për agjencinë NOA se donacioni përfshin një antologji gjithëpërfshirëse të Revistës Amerikane për të Drejtën Ndërkombëtare, Raporte Gjyqësore të Tribunalit, Revistën Evropiane për të Drejtën Ndërkombëtare, si dhe manualë dhe libra të ndryshëm juridikë mbi teorinë dhe praktikën e drejtësisë.
Sipas burimeve zyrtare mësohet se Tribunali i Hagës, angazhohet për promovimin e respektit ndaj sundimit të ligjit, që është një pikë shumë e rëndësishme në ndërtimin e shoqërive bashkëkohore dhe në avancimin e këtyre vlerave sidomos në mesin e gjeneratave të reja kosovare.
Librat dhe revistat e dhuruara do të ndihmojnë shumë studentët e drejtësisë në Kosovë si dhe ekspertët juridikë, që punojnë atje.
Meqenëse tribunali po i afrohet përfundimit të mandatit të tij, programi Outreach po i intensifikon përpjekjet e veta për t’u mundësuar bashkësive vendore njohuri dhe qasje më të madhe në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare penale dhe të arriturat e Tribunalit në kuadër të tij.
Në këtë mënyrë, programi Outreach përpiqet të rrënjosë trashëgiminë e Tribunalit anembanë rajonit të ish Jugosllavisë.
mit/NOA