English

Uji i pijshëm në Vlorë, AKU pezullon aktivitetin e subjekteve “Llogara” dhe “Pango”

Vlorë, 6 gusht, NOA – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pezulluar sot aktivitetin e dy subjekteve të prodhimit, ambalazhimit dhe tregtimit të ujit të pijshëm në qarkun e Vlorës.

Gjatë kontrolleve që iu bë subjekteve “Llogara”, dhe “Pango” u gjetën mangësi në dokumentacionin teknik si dhe defekte të tjera në kushtet tekniko teknologjike.

AKU, njoftoi se gjatë kontrollit që iu bë Subjektit "Llogara"- prodhues i ujit të pijshëm me logo "Sorkadhja" rezultoi se: mungonte dokumentacioni teknik; subjekti nuk ishte i liçensuar në QKL si subjekt prodhues; etiketa e re, që ishte përdorur nga subjekti nuk është e miratuar nga Inspektoriati Sigurisë Ushqimore; nuk kishte analiza laboratorike (fiziko-kimike dhe bakterologjike) të prodhimit; teknologu, i cili ishte deklaruar si përgjegjës prodhimi ishte ndyshuar dhe nuk kishte deklaruar tjetër teknolog përgjegjës.

Ndërkohë edhe kushtet tekniko-teknologjike të prodhimit kishin mangësi të tilla pasi nuk kishte linjë prodhimi për prodhim uji me ambalazh 6 litra; filtrat mekanik ishin jo të pastër, për këtë arsye ndaj këtij subjekti u mor masa e pezullimit të aktivitetit prodhues deri në plotësimin e detyrave të lëna.

Gjithashtu gjatë inspektimit të Subjektit "Pango" - prodhues i ujit të pijshëm "Llogara" AKU doli në përfundimin se dokumentacioni teknik kishte mangësi; subjekti nuk ishte i rregjistruar si subjekt prodhues në QKL; nuk kishte etiketë të miratuar dhe etiketes ekzistuese i kishte kaluar afati i përdorimit; nuk kishte analiza laboratorike (fiziko-kimike dhe bakterologjike) të prodhimit; kushtet higjeno-sanitare në ambjentet prodhuese nuk ishin sipas normave higjeno-sanitare dhe linja e prodhimit nuk plotësonte kushtet teknologjike për prodhim të ujit të pijshëm.

Edhe ndaj këtij subjekti AKU mori masën për pezullimin e aktivitetit prodhues deri në plotësimin e detyrave.

Por, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ndaloi vetëm në stabilimentet e prodhimit, ambalazhimit e tregtimit të ujit.

Pika të tjera të kontrollit ishin tregu i hapur ambulant, pranë PTT-së në Vlorë, treg ky për shitjen e produkteve bujqësore, dhe tregu ambulant i makinave, ku tregtohet peshk dhe prodhime deti.

Sipas AKU, në këto kontrolle u konstatua se në tregun e ndodhur pranë PTT-së tregtonin 12 tregtarë ambulantë jashtë normave higjeno-sanitare.

Ndërsa në tregun e Produkteve të Akuakulturës tregtonin peshk të freskët 4 makina frigoriferike, të cilat kishin kushte të mira tregtimi dhe ruajtje të produkteve të tyre.

Aku për të gjitha mangësitë e vërjtura ka bërë me dije bashkinë e Vlorës.

Ky tur kontrolli nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vjen pas fushatës së nisur në stinën e verës, me qëllimin për të garantuar sigurinë e kushteve higjeno-sanitare në lidhje me prodhimin, amballazhimin e tregtimitin e ujit në disa stabilimente të këtij lloji në qarkun e Vlorës, si dhe inspektimin e dy tregjeve kryesore në këtë qytet siç është tregu Tregu Ushqimor Ambulant dhe Tregu i tregtimit të Produkteve të Akuakulturës pranë Akademisë së Marinës.

mit/NOA
KOMENTE