Tiranë, 7 gusht, NOA – Ambasada Amerikane në Shqipëri, ka zhvilluar sot një ceremoni të posaçme për nderimin e dy punonjësve të saj, të vrarë në 1947-ën nga ish-regjimi komunist.
Kështu, për nder të Loni Adamit dhe Kol Kuqalit është ngritur edhe një memorial.
I pari mësohet se ka qenë asistent-sekretar në këtë përfaqësi diplomatike të Perëndimit, ndërsa i dyti përkthyes, dhe kanë punuar në ambasadën amerikane gjatë viteve 1920-1930, deri në mbylljen e saj në vitin 1939.
Më pas, menjëherë pas ardhjes në fuqi të komunizmit, ata do të vriteshin njëri pas tjetrit, të akuzuar si spiunë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E në përkujtim të këtij fakti, trupat e tyre do të varroseshin në një gropë në bregun e lumit.
E gjitha kjo histori e dhimbshme e tyre u përkujtua gjatë ceremonisë së sotme dhe nga ana e tij, ambasadori Uithers u shpreh se ky memorial është një dedikim jo vetëm ëpr këta 2 punonjës të ambasadës, por gjithashtu edhe për të gjithë shqiptarët që kanë kontribuar për demokracinë.
“Nuk dëshiroj që ky memorial të shihet si një nderim që ne i bëjmë së shkuarës, por dua që ky memorial të shërbejë si një monument i një fryme të gjallë. Shpresoj të shërbejë si monument vlerësimi për stafin tonë që ka punuar prej vitesh duke luajtur një rol kyc për të forcuar miqësinë mes dy popujve tanë. Unë shpresoj që ajo që ne të marrim teksa zbulojmë këtë memorial të jetë frymëzim për ne, të marrim në jetën tonë forcën dedikimin dhe idealizmin e tyre ” u shpreh Uithers. n.e/NOA